Interi vazhdon formën mbresëlënëse në Serie A dhe nuk njeh ndalesë. Zikaltërit triumfuan bindshëm me rezultatin 5-0 ndaj Sassuolos në transfertë, duke regjistruar ndeshjen e 12-të radhazi pa humbje në kampionat.
Njeriu i ndeshjes ishte Federico Dimarco, i cili kontribuoi me tri asistime vendimtare. Seria e golave u hap në minutën e 11-të nga Yann Bisseck, ndërsa Marcus Thuram dyfishoi shifrat në minutën e 28-të.
Në fillimin e pjesës së dytë, Interi e thelloi edhe më tej epërsinë. Lautaro Martínez dhe Manuel Akanji realizuan dy gola të shpejtë, ndërkohë që situata për Sassuolon u përkeqësua pas kartonit të kuq të Nemanja Matic, duke e lënë skuadrën vendase me një lojtar më pak.
Goli i pestë dhe i fundit u shënua nga Luis Henrique në minutat e fundit të takimit, duke vulosur “manitën” zikaltër.
Me këtë fitore, Interi shkon me moral të lartë drejt derbit të Italisë kundër Juventusit, që pritet të luhet fundjavën e ardhshme. Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu kryeson renditjen me 58 pikë, tetë më shumë se Milani i vendit të dytë.






