Gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, në konferencën e organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, Besiane Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësime për “nevojën e monitorimit të rreptë të tendencave autoritare” të qeverisë aktuale në Kosovë.
“Po instalohet një mendësi qeverisëse e rrezikshme në vend,” tha Musmurati, duke përmendur disa problematika kryesore:
-
Minimi i rendit kushtetues: “Më shumë se 15 shkelje të Kushtetutës tregojnë qartë synimin për të shndërruar institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile.”
-
Liria e medias në rënie: “Sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe përpjekjet për mbylljen e mediave na kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike sipas raportimeve të ‘Reporters Without Borders’.”
-
Presioni mbi gjyqësorin: “Ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po cenojnë rëndë shtyllën e shtetit të së drejtës.”
Musmurati theksoi se “Republika e Kosovës është arritja jonë më e madhe historike. Liria brenda saj është po aq e shenjtë sa liria e vetë shtetit. Rruga jonë është ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, jo e autoritarizmit.”





