Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka komentuar miratimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të lidershipit politik dhe të funksionimit të demokracisë lokale.
Rama ka falënderuar asamblistët e Kryeqytetit për përgjegjësinë dhe pjekurinë e tyre politike, duke theksuar se qytetarët e Kryeqytetit meritojnë përfaqësues që veprojnë me përgjegjësi publike. Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Prishtinës, duke theksuar se vota e tyre ka sjellë një asamble që e kupton mandatin si detyrim për shërbim publik, vendimmarrje të përgjegjshme dhe ndërtimin e së ardhmes së qytetit.
Sipas Ramës, miratimi i buxhetit tregon qartë funksionimin e demokracisë. “Kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar, kjo reflekton demokracinë në veprim”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka nënvizuar gjithashtu se vendimi përfaqëson ndryshimin midis politikës së së kaluarës dhe qeverisjes aktuale. Ai ka theksuar se largimi nga kultura e bllokadës është i domosdoshëm për zhvillimin e qytetit dhe për realizimin e planifikimeve serioze, investimeve strategjike dhe projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Rama ka përfunduar duke theksuar se buxheti i miratuar nuk është vetëm një dokument financiar, por një deklaratë politike dhe një mesazh se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen e qytetit.






