Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka theksuar se Italia po investon fuqishëm në diplomacinë sportive, duke e konsideruar sportin një shtyllë kyçe të veprimit ndërkombëtar të vendit, me në qendër Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026.
Sipas Tajanit, këto Lojëra përbëjnë një ngjarje globale madhore, ku do të marrin pjesë rreth 3.500 sportistë nga mbi 90 vende, të angazhuar në 304 gara sportive. Ceremonia e hapjes do të ndjeket nga rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish, ndërsa audienca globale pritet të arrijë në tre miliardë njerëz.
Milano–Kortina 2026 nuk është vetëm një ngjarje sportive, por edhe një projekt zhvillimi dhe inovacioni, me një ndikim ekonomik të vlerësuar në 5.3 miliardë euro dhe trashëgimi të qëndrueshme në infrastrukturë dhe zhvillim territorial. Për herë të parë në histori, Lojërat do të organizohen në formë të shpërndarë, duke përfshirë Milano, Kortina dhe rajonet Lombardia, Veneto dhe Trentino-Alto Adixhe.
Sistemi organizativ parashikon angazhimin e 18.000 vullnetarëve dhe krijimin e një Task Force diplomatike, duke bashkuar institucione, komunitete vendore dhe funksionarë të rinj. Strategjia e Italisë për Lojërat ka nisur dy vite më parë me krijimin e “Zyrës për Diplomacinë Sportive” dhe është promovuar përmes turneve ndërkombëtare në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi, duke përfshirë sportistë, media dhe ndërmarrje.
Tajani nënvizoi se Lojërat përfaqësojnë vlera universale si paqja, respekti dhe përfshirja, duke rikujtuar mbështetjen e Italisë për Rezolutën e OKB-së për armëpushimin olimpik. Në një kontekst ndërkombëtar të tensionuar, Italia vazhdon të angazhohet në diplomaci dhe ndihmë humanitare, përfshirë përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe Gaza, si dhe ndihmën për vendet e prekura nga konflikte më pak të dukshme, si Sudani.
Milano–Kortina 2026 shihet si një mundësi për të rikonfirmuar rolin e Italisë si ndërtuese e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke shndërruar sportin në një mjet dialogu dhe shprese për botën.






