PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Plotësim-ndryshimi i ligjit, që mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet, është në proces. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat e tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
Që nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë që ka përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovës, nuk ka pasur mundësi të aplikojë për ta marrë këtë statut pranë Komisionit Qeveritar.
Qeveria është në proces e sipër të plotësim-ndryshimit të ligjit që mundëson zgjatjen e afatit të aplikimit edhe për dy vjet të tjera.
Organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje kërkuan njëzëri që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuar, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres, edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndier dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit”.
“Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatën do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”.
“Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefiteve, siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime te komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë.”
E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.
“Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapëseprapë kemi pasur probleme”.
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale nga ky komision, u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 eurosh në muaj.