9.7 C
Pristina
Thursday, February 5, 2026

Marrëveshja e tregtisë BE-Indi

AKADEMIK. PROF. DR ANASTAS ANGJELI

Politika e jashtme amerikane, diplomacia ekonomike dhe politika e re e tarifave ka sjellë ndryshime të vrullshme jo vetëm gjeopolitike, por edhe gjeoekonomike.

Grupime ekonomike dhe marrëveshje ekzistuese po shuhen dhe të reja po lindin. Në këtë kënd vështrimi shihet edhe marrëveshja e re e tregtisë midis BE-së dhe Indisë, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes tregtare BEMERCOSUR. Por, marrëveshjet tregtare janë jo thjesht dokumente teknokratike, por edhe ngjarje politike që mund të nxisin debate identitare, të mobilizojnë protesta dhe të riformësojnë konkurrencën partiake në shumë vende europiane. Marrëveshja me Indinë lind pikërisht në këtë klimë politike të re dhe përpiqet t’i përgjigjet asaj.

Kështu, marrëveshja me Mercosur konsiderohet si kthesa Atlantike e Europës, pra një mënyrë për të thelluar lidhjet me Brazilin, Argjentinën dhe fqinjët e tyre, duke i dhënë Europës qasje në lëndë të para kritike, por edhe eksporte bujqësore dhe tregje të reja. Gjithashtu, Mercosur, nga ana tjetër u shndërrua në një histori paralajmëruese. Ratifikimi u bllokua për vite të tëra mes politikës mjedisore dhe protestave të fermerëve dhe tani, vetëm disa ditë pas nënshkrimit kaloi përsëri në kalendat greke pas vendimit të Parlamentit Evropian për të kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane në lidhje me aspektet ligjore të saj.

Ndërkaq, Bashkimi Europian dhe India kanë arritur një marrëveshje historike të tregtisë së lirë, e cila ul ndjeshëm tarifat për shumicën e mallrave që tregtohen mes dy ekonomive, duke zhbllokuar pengesa që kishin paralizuar negociatat për pothuaj dy dekada. Ndryshe nga marrëveshja me Mercosur, ajo nuk rrotullohet rreth simbolikës shpërthyese të Amazonës apo frikës nga konkurrenca bujqësore masive. Përkundrazi, ajo është ndërtuar me më shumë kujdes. Bujqësia mbetet kryesisht e mbrojtur dhe përfitimet e marrëveshjes paraqiten në terma industrie, vende pune, investime dhe siguri të zinxhirëve të furnizimit. Në këtë kuptim, ajo është një marrëveshje e gjeneratës së re, e formësuar më pak nga ideologjia e tregtisë së lirë dhe më shumë nga logjika gjeopolitike e viteve 2020.

Marrëveshja konsiderohet nga të dyja palët jo vetëm si një sukses ekonomik, por si një pikë kthese strategjike, si një dokument që e afron më shumë Europën me Indinë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë, në një kohë kur ekonomia globale po ridizenjohet nga rivalitetet, pasiguria dhe konkurrenca gjeopolitike.

Për politikëbërësit europianë, kjo është më shumë se një marrëveshje tregtare. Është një mesazh. Brukseli kërkon të tregojë se ende mund të veprojë si aktor global. Një aktor global që mund të ndërtojë aleanca, të zgjerojë tregje dhe të sigurojë alternativa strategjike, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e konsideroi marrëveshjen si “marrëveshjamëmë e të gjitha marrëveshjeve”, një shprehje që nuk u zgjodh rastësisht. Në vitet e fundit BE-ja ka negociuar disa marrëveshje të rëndësishme tregtare, por ajo me Indinë bie në sy, sepse kombinon përmasën, simbolikën dhe rëndësinë strategjike.

MARRËVESHJA BE-INDI, PSE TANI?

Pyetja kryesore mbetet: Pse ky kompromis u bë i mundur tani, pas kaq shumë vitesh diskutimesh dhe dështimesh? Përgjigjja është se ekonomia botërore ka ndryshuar. Epoka kur tregtia ishte kryesisht çështje eficience dhe çmimesh për konsumatorët ka përfunduar. Sot tregtia lidhet me sigurinë, influencën dhe forcën.

Për Europën, pandemia nxori në pah një realitet të dhimbshëm. Ekonomitë që dukeshin moderne dhe të diversifikuara vareshin nga zinxhirë furnizimi të brishtë për mallra thelbësorë. Lufta në Ukrainë e forcoi këtë fakt duke treguar se ndërvarësia mund të shndërrohet në armë, sidomos në energji dhe lëndë të para. Ndërkohë, rivaliteti në rritje SHBA-Kinë e ka kthyer ekonominë globale në një arenë konkurrence strategjike, ku sektorët kritikë duke nisur nga mikroçipet dhe bateritë te mineralet e rralla dhe deri te infrastruktura digjitale, trajtohen gjithnjë e më shumë si çështje sigurie kombëtare.

Kjo e “zgjoi nga gjumi Brukselin” dhe ka sjellë një gjuhë të re strategjike. BE konsideron se nuk po shkëputet nga Kina, por po ul rrezikun, duke zvogëluar varësinë në sektorë kyç dhe duke krijuar alternativa. India përshtatet pothuajse në mënyrë perfekte me këtë strategji sepse është mjaft e madhe për të pasur peshë, e qëndrueshme për të qenë e parashikueshme dhe shumë dinamike për të tërhequr investime. Për më tepër, ajo i ofron Europës diçka thelbësore për periudhën që po kalojmë. Një partner potencial për riorganizimin e zinxhirëve globalë të furnizimit drejt asaj që shumë zyrtarë europianë i konsiderojnë si rrjete të besueshme.

Edhe për Indinë, motivet janë po aq gjeopolitike. Nju Delhi e ka pozicionuar veten si fuqi globale që refuzon të bëhet pjesë e një blloku. India dëshiron investime dhe teknologji perëndimore, por pa u lidhur plotësisht me arkitekturën strategjike perëndimore. India mban marrëdhënie me Rusinë, angazhohet me Kinën dhe njëkohësisht, thellon lidhjet me Europën, SHBA-në dhe Japoninë. Marrëveshja tregtare me BE-në e forcon imazhin e Indisë si aktor kyç dhe i jep asaj një marrëdhënie ekonomike më të qëndrueshme e më të privilegjuar me një nga tregjet më të pasura në botë.

Në këtë mënyrë, marrëveshja BE–Indi i ngjan asaj me Mercosur, jo sepse liberalizon të njëjtat mallra, por sepse simbolizon të njëjtën ambicie, pra përpjekjen e Europës për të mbetur një pol ekonomik global i aftë të negociojë marrëveshje strategjike të mëdha pa ndjekur thjesht Uashingtonin ose pa reaguar mekanikisht ndaj Pekinit.

ÇFARË PËRMBAN DHE SJELL KJO MARRËVESHJE?

Vetë marrëveshja ekonomike është e rëndësishme sepse pritet të eliminojë ose ulë tarifat për 96.6% të mallrave të tregtuara (sipas vlerës), ndërsa BE do të ulë tarifat për 99.5% të importeve nga India brenda shtatë viteve. Brukseli pret që kjo të kursejë rreth 4 miliardë euro në vit për kompanitë europiane në taksa doganore dhe në afat më të gjatë, të dyfishojë eksportet e BE-së drejt Indisë deri në vitin 2032.

Zhbllokimi më dramatik lidhet me industrinë e makinave, sektori që më shumë se çdo tjetër simbolizonte vështirësinë e negociatave. India ka përdorur prej kohësh tarifa jashtëzakonisht të larta për të mbrojtur industrinë e saj automobilistike (sipas të dhënave, deri në 110%). Për prodhuesit europianë, kjo ishte jo vetëm pengesë, por edhe paradoks. India ishte një nga tregjet e fundit të mëdha në rritje, por industria kryesore e eksportit europian mbetej kryesisht e bllokuar. Sipas marrëveshjes, India do të ulë ndjeshëm tarifat për makinat europiane, duke arritur rreth 10% brenda pesë viteve, me kuota që synojnë të kufizojnë tronditjen dhe të zbusin reagimin politik të brendshëm.

Për Europën dhe sidomos për Gjermaninë, kjo është një fitore industriale, pasi makinat janë jo vetëm të rëndësishme ekonomikisht, por edhe pjesë e identitetit politik. Për Indinë ndoshta është një rrezik i llogaritur, sepse ajo hap tregun ndaj konkurrencës dhe sinjalizon besim në forcën afatgjatë të prodhuesve vendës. Por rreziqet politike mbeten reale. Tregu reagoi menjëherë dhe aksionet e prodhuesve indianë ranë kur dolën detaje mbi uljen e tarifave.

Sektori tjetër i rëndësishëm që përzien ekonominë me kulturën dhe moralin është alkooli. India ka vendosur prej kohësh tarifa shumë të larta për verërat dhe pijet e forta europiane, deri në rreth 150%, duke i bërë produktet europiane të shtrenjta dhe duke kufizuar hyrjen e tyre në një treg indian në rritje. Marrëveshja parashikon ulje graduale të këtyre tarifave duke i dhënë Europës avantazh në eksportin e mallrave konsumatore me vlerë të lartë. Përmbledhja e Komisionit Europian konfirmon ulje të ndjeshme tarifash për verë, pije të forta dhe birrë, edhe pse ky proces do të jetë i ngadalshëm. Politikisht është shumë më tepër se një çështje pijesh. Alkooli në Indi është sektor i ndjeshëm, sepse nga njëra anë sjell të ardhura, por nga ana tjetër prek debate fetare e kulturore dhe lidhet shpesh me politikë morale në nivel të shteteve federale. Prandaj ulja e tarifave këtu tregon se India është e gatshme të bëjë kompromise të pakëndshme politikisht, mjafton që të fitojë gjetkë.

Dhe fitimet e Indisë janë të mëdha, veçanërisht në eksportet që lidhen me punësimin. Përfitimet kryesore përqendrohen në sektorë si tekstilet, produktet e lëkurës dhe bizhuteritë, industri që punësojnë miliona dhe që janë thelbësore për ambicien e Indisë për të fuqizuar prodhimin. BE-ja do të eliminojë tarifat për kategori kryesore eksportesh indiane si tekstile, lëkurë, metale bazë, produkte gome, kimikate dhe gurë të çmuar e bizhuteri.

Megjithatë, si çdo marrëveshje, edhe kjo përmban rreziqe. Bujqësia mbetet vija e kuqe. Produkte të ndjeshme si soja, mishi i viçit, sheqeri, orizi dhe bulmeti janë përjashtuar. Kjo është shumë e ngjashme me rastin e Mercosur. Në Europë fermerët janë bërë një nga grupet më të mobilizuara politikisht të dekadës së fundit dhe çdo marrëveshje që perceptohet se dëmton bujqësinë europiane rrezikon protesta dhe probleme politike. Edhe në Indi, bujqësia është çështje me peshë politike. Prandaj të dyja palët e kuptuan se një marrëveshje plotësisht gjithëpërfshirëse ishte e pamundur dhe zgjodhën një model ku liberalizimi industrial dominon, ndërsa ndjeshmëritë bujqësore merren në konsideratë.

Por, ndoshta pjesa më domethënëse dhe më polemike lidhet me klimën. Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) i BE-së, që vendos kosto shtesë për importet e produkteve me intensitet të lartë karboni si çeliku, çimentoja dhe plehrat kimike, mbetet i paprekur. India e ka kundërshtuar fort CBAM-in, duke e parë si të padrejtë dhe proteksionist. Ky nuk është detaj teknik. Është sinjal gjeopolitik. CBAM po kthehet në një instrument të ri fuqie për Europën. Për Europën është një zgjedhje strategjike, sepse synon të mbrojë axhendën klimatike, edhe nëse kjo sjell probleme diplomatike. Për Indinë nga ana tjetër kjo është një sfidë serioze.

Brukseli ofroi edhe një kompensim të pjesshëm. BE do të japë 500 milionë euro për dy vite për të ndihmuar Indinë të ulë emetimet. Është logjika tipike europiane, pa përjashtime, por me mbështetje; pa tërheqje nga standardet, por me asistencë financiare për t’u përshtatur. Nëse India e sheh këtë si partneritet real apo thjesht si dritare politike, do ta përcaktojë marrëdhënien e ardhshme ekonomike mes dy palëve.

Tani beteja mund të zhvendoset nga tryezat e negociatave te parlamentet. Marrëveshjet tregtare kërkojnë ratifikim dhe ky proces në Europë është bërë gjithnjë e më kompleks. Marrëveshja me Mercosur është shembulli që paralajmëron, por… Brukseli beson se gjeopolitika mund ta ndihmojë. Kjo mund të paraqitet si domosdoshmëri strategjike, pra si një mënyrë për të forcuar pozicionin e Europës në një botë rivaliteti ekonomik dhe fragmentimi politik. Në narrativën e BE, India nuk është thjesht partner tregtar, por një shtyllë stabiliteti në një botë të paqëndrueshme.

* * *

Marrëveshja BE–Indi përmbledh natyrën e re politike të tregtisë në vitet 2020. Nuk është thjesht një glorifikim i ideologjisë së tregut të lirë, por një kompromis i projektuar me kujdes, ku sektorët e ndjeshëm mbrohen, industritë strategjike hapen dhe standardet klimatike imponohen përmes fuqisë ekonomike. Ajo i përket epokës së re, ku marrëveshjet tregtare nuk janë më thjesht dokumente ekonomike, por edhe instrumente të konkurrencës gjeopolitike.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA