Juljan Shehu është i bindur se përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për “Play Off”-in e Botërorit, do të jetë shumë e balancuar.
Mesfushori kuqezi analizoi sfidën në një intervistë për mediat polake. Ai tha se “do të vendoset nga detajet. Është një ndeshje e vështirë, pavarësisht se Polonia ka avantazhin që luan përballë tifozëve të saj. Kombëtarja shqiptare ka luajtur tre herë në dy vitet e fundit me Poloninë dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Polonia ka një skuadër shumë të fortë.”
I pyetur për pikën më të fortë të kuqezinjve të Silvinjos, Shehu tha se nuk është vetëm mesfusha. “Ne nuk kemi vetëm futbollistë të mirë në mesfushë, por në të gjitha repartet. Filozofia jonë është pak a shumë si Italia, duke qenë se shumë lojtarë luajnë aty dhe Sylvinho ka punuar me Mançinin. Sa i përket rolit tim, është ndryshe në Kombëtare dhe në skuadër. Trajneri më kërkon më shumë detyra mbrojtëse.”
Në fund, nuk munguan batutat mes tij dhe gazetarëve në studio. “Ti mos më uro fat, por unë i uroj fat vetes time dhe Kombëtares shqiptare,” tha mesfushori.
Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të luhet më 26 mars në Varshavë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Suedi–Ukrainë.






