8.8 C
Pristina
Wednesday, February 4, 2026

Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli: Starmer në Pekin për të rijetëzuar marrëdhëniet me Kinën

Kur qeveritë flasin për diplomaci ekonomike, pritet të sjellin përfitime të matshme dhe qeveria e Starmer ka nevojë të tregojë rezultate. Programi i Laburistëve për rritjen ekonomike është nën presion pranndaj udhëtimi në Kinë ishte një prove për mundësinë e sjelljes së përfitimeve ekonomike pa krijuar kosto strategjike.

Vizita e Keir Starmer në Kinë javën e kaluar shënoi përpjekjen më të qartë të viteve të fundit për të zbutur tensionet mes Londrës dhe Pekinit. Ishte udhëtimi i parë i një kryeministri britanik në Kinë që nga viti 2018 dhe vjen në një moment kur të dy vendet përballen me presione të brendshme ekonomike. Britania e Madhe po kërkon mënyra për të nxitur rritjen, ndërsa Kina synon të ruajë stabilitetin dhe të gjejë hapësira të reja bashkëpunimi në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

Kjo vizitë nxori në pah edhe një dilemë më të gjerë për vendet evropiane me peshë të mesme. A mund të diversifikojnë lidhjet tregtare dhe investimet pa u përballur me presion apo penalizime nga Uashingtoni? Kjo pyetje u bë edhe më e dukshme pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump, i cili e quajti “shumë të rrezikshme” që Britania të “futet në biznes” me Kinën, një kujtesë se në klimën e re ndërkombëtare, tregtia nuk shihet më thjesht si çështje ekonomike, por gjithnjë e më shumë si instrument strategjik.

Vizita e Starmer nuk prodhoi një marrëveshje të madhe të tregtisë së lirë. Por, ajo solli diçka më realiste, një paketë të kujdesshme marrëveshjesh sektoriale si dhe hapa simbolikë për rritjen e besimit dhe rihapjen e dialogut. Sfida sidoqoftë mbetet e njëjta. Çdo hap drejt Kinës mund të interpretohet nga SHBA, nga kritikët brenda vendit dhe nga aktorët strategjikë si një lëvizje me pasoja në orientimin gjeopolitik të Britanisë.

Qeveria britanike e paraqiti vizitën si një akt pragmatic. Mbretëria e Bashkuar do të kërkojë rritje ekonomike aty ku ka mundësi, pa u detyruar të “zgjedhë anë” mes Pekinit dhe Uashingtonit. Mesazhi ishte se diplomacia ekonomike nuk është, ose të paktën nuk duhet ideologjike, sepse ajo lidhet me punësimin, investimet dhe eksportet.

Nga vizita dolën disa rezultate konkrete

Njoftimi më i madh në planin komercial erdhi nga Astra Zeneca, e cila shpalli se do të investojë 15 miliardë dollarë (rreth 11 miliardë paund) në Kinë në vitet e ardhshme, duke zgjeruar kërkimin shkencor dhe prodhimin. Kjo u përshkrua si investimi më i madh i kompanisë në Kinë deri tani. Për delegacionin britanik, ky ishte një sinjal se firmat britanike mbeten konkurruese në sektorë me vlerë të lartë, si farmaceutika dhe shëndetësia, fusha ku tregjet globale ndikohen nga shkalla e madhe e prodhimit, inovacioni dhe politikat shtetërore.

Në sektorin e energjisë dhe teknologjisë, kompania britanike Octopus Energy njoftoi hyrjen në tregun kinez përmes një bashkëpunimi me një kompani lokale për të zhvilluar një platformë digjitale për tregtimin e energjisë elektrike. Logjika në këtë rast është e qartë. Kina është bërë një nga liderët globalë në energjinë e rinovueshme dhe në prodhimin masiv të paneleve diellore, teknologjive të erës dhe baterive. Kjo shkallë e madhe ka ulur kostot në nivel global dhe kompani si Octopus argumentojnë se Mbretëria e Bashkuar mund të përfitojë duke u fokusuar në “shtresën tjetër”, sisteme inteligjente, platforma digjitale dhe mjete efikase që e bëjnë energjinë e pastër më të lirë dhe më të qëndrueshme për konsumatorët.

Megjithatë, marrëveshja që ka më shumë gjasa të ketë ndikim simbolik e politik brenda Britanisë lidhet me uiskin skocez. Kina ra dakord të përgjysmojë tarifat doganore për uiskin skocez, nga 10% në 5%. Qeveria britanike vlerëson se kjo mund të sjellë rreth 250 milionë paund për ekonominë britanike në pesë vitet e ardhshme. Uiski nuk është vetëm një nga eksportet më të njohura britanike por me shumë se kaq.Kemi të bëjmë në thelb me një element identitar, veçanërisht në Skoci.

Bota po hyn në një fazë ku tregtia, siguria dhe diplomacia janë të ndërthurura. Në këtë realitet, rijetëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Britanisë me Kinën nuk është vetëm çështje eksportesh apo investimesh. Është një akt i balancimit strategjik dhe kostoja e gabimit mund të matet jo vetëm me marrëveshje të humbura, por edhe me humbje të hapësirës për manovrim politik.

Një tjetër rezultat praktik ishte ai i lëvizshmërisë. Kina vendosi udhëtim pa viza për qytetarët britanikë për qëndrime deri në 30 ditë për biznes dhe turizëm. Në aspektin ekonomik, kjo ul barrierat për udhëtime biznesi dhe sinjalizon një klimë më të favorshme për bashkëpunim tregtar. Në aspektin politik, është një masë konkrete që e bën idenë e “ri jetëzimit të marrëdhënieve” më të besueshme.

Këto detaje nuk janë të parëndësishme. Kur qeveritë flasin për diplomaci ekonomike, pritet të sjellin përfitime të matshme dhe qeveria e Starmer ka nevojë të tregojë rezultate. Programi i Laburistëve për rritjen ekonomike është nën presion pranndaj udhëtimi në Kinë ishte një prove për mundësinë e sjelljes së përfitimeve ekonomike pa krijuar kosto strategjike.

Për Pekinin, vizita kishte rëndësi përtej marrëveshjeve konkrete.

Ekonomia kineze mbetet një nga më të mëdhatë në botë, por mjedisi ndërkombëtar është bërë më i vështirë se më parë. Kufizimet e udhëhequra nga SHBA për eksportet teknologjike, frenimi i investimeve kineze në disa vende dhe tensionet e tregtisë globale e kanë ngushtuar hapësirën manovruese të Kinës. Në këtë kontekst, Pekini ka interes të fortë të projektojë veten si partner i qëndrueshëm për Evropën, sidomos nëse Uashingtoni shihet si i paparashikueshëm.

Ndikimi i presidencës së Trump.

Ndërsa SHBA po përdor tarifa agresive dhe ka bërë edhe kërcënime tregtare ndaj aleatëve të saj, Kina po përpiqet të ndryshojë imazhin ndërkombëtar: jo si faktor destabilizues i tregtisë globale, por si aktor i parashikueshëm. Një rijetëzim i marrëdhënieve me Britaninë e Madhe, një ekonomie të rëndësishme evropiane dhe aleat historik i SHBA, i shërben Pekinit si mesazh politik.

Narrativa kineze e përshkruan vizitën si kthim të potencialit të bashkëpunimit në rezultate konkrete. Në planin ekonomik, Kina përfiton nga ruajtja e aksesit për eksportet e produkteve me vlerë të lartë, si automjetet elektrike, teknologjitë diellore dhe komponentët e energjisë së gjelbër. Në planin politik, takimi sinjalizon se Kina nuk është e izoluar dhe mund të bashkëpunojë me kryeqytete të rëndësishme perëndimore. E thënë me fjalë të tjera, Britania shkoi në takim për fitore tregtare. Kina nga ana tjetër fitoi legjitimitet dhe stabilitet në marrëdhënie me Perëndimin dhe të dyja palët gjetën pikë takimi të mjaftueshme për të justifikuar një afrim të kujdesshëm.

Nëse rijetëzimi i marrëdhënieve ekonomike ishte lajmi kryesor, reagimi i Trump ishte paralajmërimi në prapaskenë.Deklarata e Trump se është “shumë e rrezikshme” që Britania të bëjë biznes me Kinën pasqyron një ndryshim më të gjerë në mënyrën si SHBA e koncepton ndikimin e saj. Në këtë qasje, tarifat nuk janë vetëm mjete për mbrojtjen e industrisë vendase. Ato shndërrohen në instrument presioni politik. Partnerët pritet të rreshtohen jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht.

Kjo është arsyeja pse afrimi i Britanisë me Kinën bëhet kaq i ndjeshëm. Nuk ka rëndësi nëse Londra këmbëngul se nuk po zgjedh mes Uashingtonit dhe Pekinit. Në logjikën gjeopolitike të Trump, lidhjet tregtare të thella mund të shihen vetvetiu si një zgjedhje strategjike.

Kështu, rreziku i një reagimi amerikan , mund të sjellë rrezik real dhe të ndryshojë vendimmarrjen e biznesit, klimën e investimeve dhe orientimin e politikës së jashtme britanike. Nëse Uashingtoni sinjalizon se vendet që thellojnë bashkëpunimin me Pekinin mund të përballen me pasoja tregtare, atëherë strategjia e rijetëzimit të marrëdhënieve kufizohet.

Politika e brendshme britanike

Sidoqoftë vlen të thuhet se një rijetëzim i marrëdhënieve me Kinën nuk është kurrë vetëm çështje tregtie. Është e pashmangshme që një përpjekje e tillë të shoqërohet edhe me debat të brendshëm.

Në Britani, Kina shihet njëkohësisht si mundësi ekonomike dhe si sfidë në sigurinë kombëtare e në vlera. Kritikët theksojnë çështje si të drejtat e njeriut, teknologjitë e mbikqyrjes, ndikimi i huaj dhe përdorimi i investimeve si instrument politik.

Raportimet se Kina hoqi sanksionet ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Dhomës së Lordëve janë interpretuar në dy mënyra. Për mbështetësit e afrimit, është një ulje e armiqësisë dhe një shenjë se dialogu funksionon. Për kritikët, është një lëvizje taktike që synon të dobësojë kundërshtimin dhe të ulë vëmendjen ndaj çështjeve sensitive.

Ky është realiteti i politikës ndaj Kinës në demokracitë perëndimore. Edhe kur incentivat ekonomike janë të forta, legjitimiteti politik mbetet i brishtë. Qeveritë duhet të dëshmojnë se nuk po sakrifikojnë sigurinë apo vlerat për përfitime afatshkurtra.

Qeveria e Starmer po ndjek një vijë të kujdesshme. Nga njëra anë përpiqet të rihapë dialogun ekonomik pa u dukur naïve, të tërheqë investime pa u dukur e varur dhe të zgjerojë tregtinë ndërkohë që “menaxhon rrezikun”.

Por nga ana tjetër menaxhimi i rrezikut është më i lehtë në deklarata sesa në praktikë. Kur në Kinë ekzistojnë pengesa strukturore sic janë burokracia apo transparencë e kufizuar , premtimi për akses në treg mund të zhgënjejë. Ndërkohë, në Britani edhe investimet modeste kineze mund të ndezin debat politik.

Një trend evropian?

Vizita e Starmer nuk është rast i izoluar. Ajo pasqyron një qasje më të gjerë evropiane dhe jo vetëm. Liderë nga Franca, Kanadaja dhe Finlanda kanë vizituar Pekinin së fundmi. Ata ndajnë një intuitë të përbashkët: në një periudhë pasigurie tregtare dhe gjeopolitike, diversifikimi i partnerëve është racional. Nuk është domosdoshmërisht një kthim drejt Kinës, por më tepër një përpjekje për të mos u varur nga një qendër e vetme fuqie.Megjithatë, edhe ky diversifikim ka kufij. Është e vështirë të zgjerosh partneritetet tregtare kur politika globale po shkon drejt logjikës së kampeve. Është edhe më e vështirë kur një prej kampeve, pra SHBA, përdor tarifa dhe presion për të kufizuar hapësirën e vendimmarrjes së partnerëve.

Prandaj vizita e Starmer ka rëndësi si provë për Evropën për të vlerësuar se a mund të ndjekin vendet e mesme një diplomaci ekonomike pragmatike me Kinën, ndërkohë që mbeten të ankoruara në aleancën perëndimore?

Marrëveshjet mes Britanisë dhe Kinës për udhëtimet pa viza, tarifat e uiskit dhe bashkëpunimet ekonomike janë konkrete. Ato mund të sjellin përfitime në sektorë të caktuar dhe të hapin rrugë për investime të reja në të ardhmen.

Por historia më e rëndësishme lidhet me atë që ndodhi menjëherë pas vizitës, pra paralajmërimi i Trump tregon se çdo afrim ekonomik me Kinën sot shndërrohet automatikisht në çështje gjeopolitike.

Bota po hyn në një fazë ku tregtia, siguria dhe diplomacia janë të ndërthurura. Në këtë realitet, rijetëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Britanisë me Kinën nuk është vetëm çështje eksportesh apo investimesh. Është një akt i balancimit strategjik dhe kostoja e gabimit mund të matet jo vetëm me marrëveshje të humbura, por edhe me humbje të hapësirës për manovrim politik.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA