Pinterest ka larguar nga puna dy inxhinierë pasi ata përdorën mjete të brendshme për të identifikuar se cilët punonjës ishin pushuar.
Sipas kompanisë, inxhinierët krijuan skripte të personalizuara që aksesonin në mënyrë të paautorizuar informacion konfidencial, duke zbuluar emrat dhe vendndodhjet e ish-punonjësve. Ky informacion më pas u shpërnda edhe tek persona të tjerë.
“Kjo ishte një shkelje e qartë e politikave të Pinterest dhe e privatësisë së ish-kolegëve tanë,” deklaroi një zëdhënës i kompanisë për BBC.
Shkarkimet vijnë në një kohë kur Pinterest ka njoftuar se do të reduktojë rreth 15% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 700 vende pune, si pjesë e strategjisë së re të fokusuar tek inteligjenca artificiale. Drejtori ekzekutiv, Bill Ready, tha në një email se kompania po “dyfishon përkushtimin ndaj një qasjeje të orientuar drejt AI-së”.
Burime të afërta me rastin bëjnë të ditur se skriptet përdornin mjete të brendshme komunikimi, si Slack, për të gjeneruar sinjalizime kur llogaritë e punonjësve çaktivizoheshin – një mënyrë e zakonshme për të identifikuar kush është prekur nga pushimet nga puna.
Identitetet e dy inxhinierëve të shkarkuar nuk janë bërë publike dhe ata nuk kanë komentuar mbi rastin.
Industria e teknologjisë po përballet me shkurtime masive vitet e fundit. Vetëm këtë vit, kompani si Amazon, Meta, Google dhe Microsoft kanë larguar mijëra punonjës. Sipas platformës Layoffs.fyi, rreth 700 mijë persona janë pushuar nga puna në sektorin global të teknologjisë gjatë katër viteve të fundit.






