Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në Universitetin e Prishtinës është pranuar si anëtar institucional me të drejta të plota në Këshillin Evropian për Gjuhët (CEL/ELC), një rrjet i njohur evropian që bashkon universitete dhe institucione të specializuara në fushën e studimeve gjuhësore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila e cilësoi këtë anëtarësim si një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.
Sipas Nagavcit, Këshilli Evropian për Gjuhët ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë për zhvillimin dhe avancimin e studimeve gjuhësore. Ajo theksoi se ky anëtarësim rrit vizibilitetin ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, projekte të përbashkëta dhe zhvillim profesional për studentët dhe stafin akademik.
Ministrja shtoi se përfshirja në këtë rrjet përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit akademik evropian dhe dëshmon përkushtimin për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.
Nagavci nënvizoi gjithashtu se Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa dhe projekte që synojnë avancimin e arsimit në Kosovë, duke theksuar rolin kyç të gjuhëve në zhvillimin akademik dhe integrimin ndërkombëtar.
Universiteti i Prishtinës është uruar për këtë arritje, e cila konsiderohet një tjetër sukses në forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike evropiane.






