Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami flet për bashkëpunimin me Anëtarin e Lartë të Komitetit, Gregory Meeks dhe kongresistë të tjerë, senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan, lobimin e gjatë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës dhe nevojën për organizim që projektligji të miratohet nga Kongresi Amerikan.
Ruben Avxhiu
Fati i shqiptarëve të harruar të Luginës së Preshevës ka marrë më së fundi vëmendjen e duhur.
Komiteti për Punët e Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan sapo miratoi me votën masive 43-3 një rezolutë e cila detyron Sekretarin e Shtetit që të përgatisë brenda 180 ditëve një raport për gjendjen e shqiptarëve në Serbi.
Raporti duhet të ndalet në problemet që shqetësojnë shqiptarët prej vitesh siç janë: Pasivizimi i adresave, e drejta e votës, e pronës dhe dokumenteve, përfaqësimi në institucionet dhe shërbimet rajonale, njohja e diplomave dhe gradave shkencore, përdorimi i gjuhës shqipe etj.
Hapi tjetër për “Aktin e Shqyrtimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës” tani është që të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, por kalimi i pragut të Komitetit me një votë kaq masive ishte një arritje e rëndësishme. Ajo dëshmoi se çështja e Luginës tani nuk mund të fshihet më nën rrogoz dhe se Serbia në një mënyrë apo një tjetër, do të fillojë të ndjejë presionin amerikan.
Vota e suksesshme në nivel Komiteti nënvizoi edhe dy mesazhe të rëndësishme. I pari na thotë se kur komuniteti shqiptar në Amerikë angazhohet, rezultatet nuk vonojnë dhe se mbështetja jonë në Kongres dhe Washington vijon të jetë dypartiake. Rezultati 47-3 nuk ishte një rastësi. Ai reflektoi drejtësinë e kauzës së Luginës së Preshevës që përfshinë komunat Preshevë e Bujanoc me shumicë shqiptare dhe Medvegjë, por edhe punën e madhe të bërë nga shqiptaro-amerikanët.
Një meritë të madhe kanë veprimtarët e shoqatës “Albanians for America” (Shqiptarët për Amerikën), si Doc Vranici, Gino Mulliqi, Gezim Rushiti e të tjerë për miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që kanë krijuar me kongresistin Keith Self, nga Texas, i cili tani drejton NënKomitetin për Evropën në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Për më tepër, ata kanë krijuar lidhjen me kongresistin Brian Mast nga Florida, një veteran i luftës që i ka humbur të dy këmbët dhe që sot shërben në postin e fuqishëm të Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve. Këtë pozicion ka pasur dikur në fund të karrierës kongresisti Eliot Engel dhe pas tij, për disa vite kongresisti Gregory Meeks.
Kongresisti Keith Self mori pjesë dhe mbajti fjalim në shtator të vitit të kaluar në darkën mbresëlënëse të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC), në Manhattan, ku u njoh edhe më mirë me forcën e komunitetit shqiptar në SHBA e ku merrnin pjesë si mysafirë nderi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Aty edhe mbajti një nga fjalimet më të mira në përkrahje të shqiptarëve. Të nesërmen ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Takime me të dhe kongresistë të tjerë kanë organizuar edhe Liga Qytetare e DioGuardit që drejtohet tani nga Agim Aliçkaj.
Projektligji për Luginën e Preshevës u paraqit në fillim nga kongresisti Self në Nënkomitetin e tij dhe pastaj u referua për miratim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë. Aty fitoi me votën e vendimtare 43-3.
Ky rezultat sjell mesazhin e dytë, apo nxjerr në pah fenomenin tjetër, mbështjen për kauzën shqiptare në mbarë spektrin e politikës amerikane. Kjo ka qenë karakteristikë e vazhdueshme e lobimit shqiptar në Amerikë dhe mesa duket vazhdon edhe sot e kësaj dite me gjithë polarizimin në politikën amerikane. Republikanët dhe demokratët në Washington po ndahen për shumë gjëra këto ditë por u bashkuan për votën e Luginëss së Preshevës. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i punës së shqiptarëve në Amerikë.
Self dhe Mast janë republikanë përkatësisht nga Texas dhe Florida, kurse demokratët në këtë Komitet udhëhiqen nga Gregory Meeks, kongresist nga Queens, New York, i zgjedhur në Kongres që nga viti 1998 dhe tani anëtar i Lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas largimit nga politika i kongresistit Engel, Meeks u bë demokrati më i fuqishëm në Komitet. Për të mos lejuar humbjen e ndikimit shqiptar, në një kohë ngadalësimi të lobimit tonë në SHBA, para disa vitesh, botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, në bashkëpunim me Halil Ahmetajn, veprimtar i njohur dhe pronar i disa restoranteve në Manhattan, organizuan një darkë të rëndësishme për të krijuar lidhje dhe bashkëpunim me zëvendësuesin e Engelit, kryetarin Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, kongresistin Gregory Meeks.
Me ftesën e tyre në takim mori pjesë edhe kongresistja e fuqishme Carolyn Maloney, kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe kongresisti Mondaire Jones.
Botuesi i gazetës “Illyria”, autor dhe ish drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, gjatë takimit me tre kongresistët për të mbështetur fushatat e tyre elektorale, u dorëzoi atyre një dokument për Kosovën ku përfshihej edhe kërkesa që Kongresi të ndikojë tek administrata amerikane për ta detyruar Serbinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejtat që kanë serbët e Kosovës.
Komuniteti iu përgjigj ftesës së Vehbiut dhe Halilit. Mes pjesëmarrësve në takimin prezantues ishte Jim Xhema, figurë e madhe e lobimit shqiptar në SHBA si dhe Christopher Hyland, njeriu që prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin për President, Bill Clinton, në vitin 1992. Marash Nucullaj kishte udhëtuar nga Detroiti për të dëshmuar se shqiptarët mbeten të bashkuar pavarësisht se nga cilat troje vijnë e ku banojnë në SHBA. Për të folur për çështjen e Vëllezërve Bytyçi, që u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, kishte ardhur Ilir Bytyçi, i cili ka dëshmuar dhe në Kongresin Amerikan.
Që atëherë, Vehbi Bajrami ka mbajtur një raport bashkëpunimi me zyrën e kongresistit Meeks e të tjerë, duke e ushqyer me raporte dhe propozime për të ndihmuar Kosovën, ngritjen e Forcave të Armatosura të saj, hyrjen në NATO, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi etj.
“Në një nga takimet e shpeshta që kam pasur me kongresistin Meeks”, thotë Bajrami, “i shpreha shqetësimin për humbjen e kongresistit Eliot Engel, duke shtuar se shqiptarët humbën një kampion të mbrojtjes së Kosovës në Kongres. Më tha: ‘Tani më keni mua aty në Kongres në vend të tij. Unë do të jem përkrahës i Kosovës. Para bombardimeve të NATO-s në Serbi, vazhdoi ai, unë e mbështeta presidentin Clinton kur ai kërkoi ndihmën time. Më tha se e ndjente veten fajtor që nuk mundi të ndihmonte kundër gjenocidit në Ruanda dhe tani nuk mund të mos ndihmonte Kosovën’”.
Këto lidhje kanë qenë të rëndësishme që projektligji për Luginën, i cili u propozua nga republikanët Self dhe Mast, të merrte mbështetjen edhe nga opozita demokrate.
“Vota për projektligjin në Kongresin Amerikan është një arritje e jashtëzakonshme dhe për këtë një meritë të veçantë kanë aktivistët e Texas-it, bashkë me Faton Bislimin dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro – Amerikane. U jam mirënjohës të gjithë kongresistëve që votuan për projektligjin e veçanërisht kongresistëve Keith Self dhe Gregory Meeks, ky i fundit një mik imi për shumë vjet”, shprehet për këtë ngjarje botuesi Vehbi Bajrami. “Megjithatë, lobimi për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, në Washington ka filluar më heret. Personi që ka bërë më së shumti në këtë drejtim nga Lugina e Preshevës dhe i pari që ka denoncuar pasivizimin e adresave është Prof.Muharrem Salihu, në kohën kur ishte këshilltar komunal në Medvegjë. Aktiviteti i tij ka qenë tejet i rëndësishëm për njohjen e Kongresit dhe institucioneve evropiane për pasivizimin e adresave nga qeveria serbe dhe shkeljet e tjera të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.
Bajrami tregon se si bashkë me prof. Muharrem Salihun dhe Skender Perollin në vitin 2019 u takuan në New York dhe Washington me kongresistin Eliot Engel dhe Robert Hand nga Komisioni i Helsinkit, organ ky i themeluar nga Kongresi Amerikan për të monitoruar të drejtat e njeriut në Evropë.
“Dëshmia e Prof. Muharrem Salihut gjatë këtyre takimeve shërbeu si bazë e projektrezolutës në Kongresin Amerikan”, thotë ai. “Salihu gjatë këtyre takimeve në Washington dhe më pas në Komisionin e Helsinkit në Beograd, që drejtohet nga humanistja Sonja Biserko, paraqiti dokumente mbi diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe ato u morën si bazë faktografike e shkeljes së të drejtave të njeriut”.
Si tregon botuesi i gazetës “Illyria”, zyrtarët amerikanë më pas udhëzuan ambasadën e SHBA-së dhe Komisionin e Helsinkit në Beograd që të merren me këtë problem dhe vijuan pastaj vizitat e ambasadorit amerikan dhe Sonja Biserkos (drejtuese e Komisionit të Helsinkit në Beograd) në Luginën e Preshevës për t’u njohur me diskriminimin e shqiptarëve.
Robert Hand i rekomandoi prof. Salihut të takohej edhe me ambasadorin e OKB-së për pakicat në Hagë, Lamberto Zanier, ish administrator në Kosovë pas Lufte. Prof. Salihu u takua edhe me të dhe e informoi me fakte për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga qeveria serbe.
Bajrami shton se raporti i Komisionit të Helsinkit i bazuar nga dëshmitë e Prof. Salihut është referenca më relevante në tryezat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe projekligjin aktual në Kongresin Amerikan.
Hapi tjetër tani do të jetë miratimi nga mbarë Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, e cila ka 435 anëtarë.
Vehbi Bajrami, i cili e ka vendlindjen pikërisht në Luginën e Preshevës, u shpreh me këtë rast se shqiptarët duhet të organizohen dhe të përdorin të gjithë lidhjet e tyre kur të vijë dita e votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Viteve të fundit ai ka bashkëpunuar me disa kongresistë amerikanë për të lobuar për Kosovën, Preshevën dhe çështjet shqiptare në Ballkan. Të paktën tre prej tyre, pas kërkesës sl tij, kanë pranuar të bëhen anëtarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres: Grace Meng, Seth Moulton dhe Joe Morelle.
Vitin e kaluar, Jim Xhema bashkë me të dhe aktivistë të tjerë të komunitetit në New York, organizoi një mbrëmje për të mbështetur senatorin e fuqishëm, John Thune, i cili më pas u zgjodh udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan. Aktivistët, në mesin e kërkesave, të cilat iu paraqitën në formë të shkruar nga z. Bajrami, ishte që Kosova të anëtarësohej në NATO si mënyra më e mirë për sigurinë e saj nga Serbia si dhe stabilitetin e rajonit ballkanik.
“Ka zëra se ndikimi i diasporës shqiptare në Kongres, Senat e Shtëpinë e Bardhë është zbehur. Kjo nuk është e vërtetë. Aktivistët shqiptarë kanë lidhje me shumë ligjvënës amerikanë dhe me zyrtarë të tjerë të lartë në administratën amerikane. Me këtë rast do të veçoja senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan dhe John Ratcliffe, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Vendimet e mëdha presidenti amerikan nuk i merr pa mendimin ose aprovimin e kryetarit të Senatit dhe CIA-s. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të kontraktojë një firmë të fuqishme lobuese në Washington, e cila do të forconte edhe më shumë lidhjet e Kosovës me Amerikën dhe do të demantone gënjeshtrat e lobistëve të paguar nga Serbia në Washington, që po punojnë fort në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës. Kjo firmë do të ndihmonte aktivitetin lobues të ambasadave tona e të komunitetit, i cili mbetet forcë e pazëvendësueshme e këtij lobimi”, thotë z. Bajrami.
“Kur të afrohet dita e miratimit të projektligjit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga Dhoma e Përfaqësuesve, shqiptarët në Amerikë duhet të organizohen. Të kontaktojmë të gjithë kongresistët që njohim dhe t’u kërkojmë të votojnë për projektligjin, madje të bindin edhe kolegë të tjerë”.
Angazhimi i shqiptarëve me politikën amerikane ka dëshmuar që jep fryte. Ai është jetik për fatin e kombit shqiptar dhe i shërben jo vetëm shqiptarëve por edhe vetë sigurisë së Amerikës.

























