Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Argjent Ramës, të dyshuarit për plagosjen e ndodhur në Ferizaj, i cili një ditë më parë është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa e paraburgimit është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës nga gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ilir Bytyqi.
Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri Argjent Rama, me qëllim që ta privojë nga jeta viktimën A.D., ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të tij.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri me qëllim që të privoj nga jeta ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës A.D., duke i shkaktuar plagë nga arma e zjarrit në abdomen, dorë dhe regjion femoral, për pasojë i dëmtuari i`u është nënshtruar operimit në QKUK -Prishtinë. Si dhe se i pandehuri me datë, kohë dhe vend të shënuar si më lartë tek pika e parë e dispozitivit, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm lidhur me armët ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën e zjarrit të llojit CZ, modeli 70, kalibri 7.65 MM”, thuhet në njoftimin e gjykatës.






