Policia e Kosovës ka arrestuar A.R., 31-vjeçari i dyshuar në lidhje me rastin e “Vrasjes në tentativë” dhe “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, që ka ndodhur më 21 dhjetor 2025 në Ferizaj.
Rasti ka ndodhur rreth orës 23:50 në rrugën “Wesley Clark”, ku si pasojë e një sulmi, një person ka mbetur i plagosur. Policia njofton se më 21 janar 2026, rreth orës 11:15, i dyshuari A.R., 31 vjeç, ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë në Ferizaj dhe ka shprehur vullnetin për vetëdorëzim.
“Pas kësaj, hetuesit rajonalë përgjegjës për rastin, në bashkëpunim me një njësi patrulluese, kanë shkuar në adresën e të dyshuarit, ku edhe është realizuar arrestimi i tij. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe për të gjitha veprimet hetimore të policisë është njoftuar prokurori i rastit, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.






