Trilleri psikologjik “The Housemaid” ka shënuar një sukses të madh në kinematë botërore, duke tejkaluar shifrën prej 200 milionë dollarësh në fitimet globale nga shitjet e biletave.
Filmi, me protagoniste Sydney Sweeney dhe Amanda Seyfried, ka arkëtuar rreth 100 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe po aq në tregjet ndërkombëtare, vetëm katër fundjava pas publikimit. Këto shifra janë veçanërisht mbresëlënëse, duke marrë parasysh se buxheti i filmit ishte vetëm 35 milionë dollarë, sipas studios Lionsgate.
“The Housemaid” pati premierën më 19 dhjetor dhe debutoi me 19 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë në Amerikën e Veriut. Filmi është i klasifikuar si i papërshtatshëm për personat nën moshën 18 vjeç pa shoqërimin e një prindi apo kujdestari.
Falë reagimeve pozitive të publikut dhe rekomandimeve të forta, trilleri pritet ta përmbyllë shfaqjen kinematografike me fitime që variojnë nga 225 deri në 275 milionë dollarë në nivel global, raporton Variety. Ky rezultat shihet si një sukses i rëndësishëm në një periudhë sfiduese për filmat me buxhet të mesëm.
Me regji të Paul Feig dhe i bazuar në romanin bestseller të autores Freida McFadden, filmi ndjek historinë e një gruaje të re me një të kaluar të trazuar, e cila punësohet si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje të pasur, por shumë shpejt zbulon se pas fasadës perfekte fshihen sekrete të errëta.






