Para se Formula 1 të hynte në epokën e kufizimeve strikte financiare dhe teknike, vitet ’90 përfaqësonin kulmin e lirisë inxhinierike. Skuderitë funksiononin si laboratorë të pavarur zhvillimi, me zgjidhje teknike unike dhe identitet të dallueshëm për çdo ekip. Ishte një periudhë ku kreativiteti shpesh bënte diferencën në pistë.
Një nga makinat simbol të asaj kohe tani po shkruan një kapitull të ri të historisë së saj. Ferrari F310, e përdorur nga Michael Schumacher në Botërorin e Formula 1 të vitit 1997, do të dalë në ankand nga shtëpia prestigjioze RM Sotheby’s.
E pajisur me një motor 3.0 litra V10 që prodhonte rreth 730 kuaj fuqi, Ferrari F310 debutoi në Çmimin e Madh të Belgjikës. Schumacher e përdori makinën gjatë sesioneve kualifikuese, por për shkak të reshjeve të dendura gjatë garës, u detyrua të rikthehej te shasia e mëparshme. Në garën pasuese në Itali, makina iu besua Eddie Irvine, i cili e mbylli garën në vendin e tetë.
Paraqitja e fundit e këtij modeli erdhi në Çmimin e Madh të Austrisë, ku gara përfundoi pas një përplasjeje me Jean Alesi. Pas tërheqjes nga garat, Ferrari F310 u shit nga fabrika në vitin 1999, duke kaluar fillimisht në Gjermani e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Makina ka qenë pjesë e disa ekspozitave prestigjioze, përfshirë Audrain Auto Museum në Rhode Island në vitin 2014 dhe Goodwood Festival of Speed në vitin 2019. Ajo është certifikuar zyrtarisht nga Ferrari Classiche në janar të vitit 2007 dhe shoqërohet me dokumentacionin origjinal të njohur si “Red Book”.
Vlera e parashikuar në ankand për këtë pjesë të rrallë të historisë së Formula 1 varion nga 5.5 deri në 7.5 milionë euro, duke e bërë atë një nga objektet më të çmuara të motorsportit që del në shitje këtë vit.






