Neymar ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Brazilit, duke konfirmuar se nuk do ta veshë më fanellën verdhejeshile pas eliminimit të ekipit në Kupën e Botës 2026.
Ylli i Santosit e bëri të ditur vendimin e tij pas disfatës ndaj Norvegjisë në fazën e 1/8 së finales, duke mbyllur kështu një kapitull 16-vjeçar me përfaqësuesen braziliane. Botërori i zhvilluar nën drejtimin e Carlo Ancelottit rezultoi zhgënjyes për Brazilin, ndërsa fundi i rrugëtimit shënoi edhe fundin e aventurës ndërkombëtare të njërit prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e vendit.
Gjatë deklaratës së tij, 34-vjeçari reagoi edhe ndaj zërave të publikuar së fundmi në media, të cilët pretendonin se ai kishte pasur sjellje të papërshtatshme ndaj futbollistëve të rinj në dhomat e zhveshjes së Santosit, duke i hedhur poshtë këto raportime.
Duke folur për rrugëtimin e tij me Brazilin, Neymar u shpreh se largohet pa asnjë peng, pasi beson se ka dhënë gjithçka për fanellën e kombëtares.
“Koha ime me kombëtaren ka marrë fund. Kam shkruar histori, kam përjetuar momente të paharrueshme dhe kam dhënë gjakun e jetën time për këtë fanellë. Gjithmonë kam luftuar për Brazilin, por tani ka ardhur momenti të ndalem”, deklaroi ai.
Vendimi i Neymarit shënon fundin e një epoke për futbollin brazilian. Golashënuesi më i mirë në historinë e “Seleçaos” do ta përqendrojë tani karrierën e tij vetëm te Santosi, klubi ku nisi rrugëtimin drejt yllit të futbollit botëror.
Konfirmimi i largimit erdhi në një nga momentet më emocionuese të karrierës së tij. Në stadiumin “MetLife” në New Jersey, Neymar u pa me lot në sy pas eliminimit të Brazilit. Edhe pse realizoi një penallti në çastet e fundit të sfidës, ajo nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin dhe fundin e një historie të jashtëzakonshme me kombëtaren.
Pas 16 vitesh, qindra paraqitjesh dhe statusit të golashënuesit më të mirë në historinë e Brazilit, Neymar largohet nga skena ndërkombëtare si një prej emrave që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror.





