Dy persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është identifikuar nga Policia e Kosovës pas incidenteve serioze të ndodhura gjatë ndeshjes së Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet KB Vëllaznimit dhe KB Bashkimit, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimet janë kryer për tentim sulmi, ndërsa ndaj personit që hodhi një shishe uji në drejtim të ndihmëstrajnerit të KB Bashkimit, Bledar Gjeqaj, do të ndërmerren veprime të mëtejshme ligjore. Shishja e goditi Gjeqajn në fytyrë, duke e rrëzuar atë në parket.
Incidenti ndodhi gjatë çerekut të dytë të ndeshjes, pasi nga tribuna u dëgjuan ofendime në kor ndaj ekipit mysafir. Pavarësisht vërejtjes zyrtare drejtuar publikut, situata u përkeqësua kur një grup tifozësh të skuadrës vendase tentoi të sulmonte persona në tribunën e mysafirëve, duke rrezikuar seriozisht përshkallëzimin e dhunës.
FBK ka theksuar se vetëm falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës është parandaluar një incident edhe më i rëndë.
Në koordinim me gjyqtarët dhe organet e rendit, u mor vendimi për zbrazjen e palestrës nga publiku, me përjashtim të zonës VIP, me qëllim garantimin e sigurisë së lojtarëve, stafit dhe zyrtarëve të ndeshjes.
Federata e Basketbollit e Kosovës e ka cilësuar situatën si alarmante dhe ka ritheksuar politikën e saj të tolerancës zero ndaj çdo forme dhune në palestra.
Klubi nikoqir pritet të ndëshkohet për organizim të dobët të ndeshjes, ndërsa ndaj tij do të shqiptohen masa të rënda disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi. FBK ka paralajmëruar se dhuna fizike, tentimet për sulm, fyerjet dhe sjelljet e papranueshme nuk do të tolerohen, duke mos përjashtuar masa edhe më drastike në rast të përsëritjes së incidenteve, përfshirë zhvillimin e ndeshjeve pa publik, mbylljen e palestrave, humbjen e ndeshjeve me rezultat zyrtar dhe referimin e rasteve tek institucionet kompetente.






