Trajneri i Napolit, Antonio Conte, është ndëshkuar me dy ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas kartonit të kuq të marrë gjatë ndeshjes së së dielës kundër Interit në “Giuseppe Meazza”.
Vendimi është konfirmuar nga Lega Serie A, e cila bëri të ditur se Conte nuk do ta udhëheqë Napolin në sfidat e radhës ndaj Parmas dhe Sassuolos.
Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të takimit, pasi Interi fitoi një penallti pas rishikimit me VAR. Conte reagoi ashpër ndaj vendimit, duke humbur kontrollin emocional. Ai goditi topin nga zona teknike, hodhi një shishe në tokë dhe bërtiti ndaj gjyqtarit të katërt, që solli kartonin e kuq.
Napoli do të rikthehet në fushë nesër ndaj Parmës, ndërsa të shtunën përballet me Sassuolon, pa praninë e trajnerit italian në stol.
Në të njëjtën xhiro, kartonë të kuq morën edhe trajnerët Paolo Vanoli (Fiorentina) dhe Davide Nicola (Cremonese), por ata u ndëshkuan vetëm me një ndeshje pezullim secili, ndryshe nga Conte.






