Mesfushori i njohur Arber Prekazi ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se ka vendosur të largohet nga FC Feronikeli, pas një marrëveshjeje të dyanshme me klubin.
“Ky nuk ishte një vendim i lehtë, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i planifikojmë ne. Vetëm Zoti e di të ardhmen,” shkroi Prekazi.
Ai u shpreh i kënaqur me rrugëtimin e tij në klub, duke theksuar se ka ardhur për sfidën dhe për ta ndihmuar Feronikelin të arrijë aty ku i takon. “Po largohem duke e lënë ekipin në vendin e dytë, një pozicion që dërgon direkt në Superligën e Kosovës, pas një rrugëtimi plot sakrificë, djersë dhe punë të ndershme,” shtoi ai.
Prekazi falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij në klub: lojtarët, trajnerët, stafin dhe kryesinë, për respektin dhe ambientin pozitiv që kanë ndërtuar së bashku. “Edhe dy jetë po t’i kisha, nuk do ta zhbëja kurrë vendimin për të qenë pjesë e këtij klubi të madh. Faleminderit për gjithçka! Deri herën tjetër,” përfundoi ai.
Largimi i Prekazit shënon një kapitull të rëndësishëm për Feronikelin, i cili vazhdon të synojë rikthimin e plotë në Superligë dhe stabilitetin në elitën e futbollit kosovar.






