Xabi Alonso ka reaguar për herë të parë pas ndarjes së tij me Real Madridin, duke i dhënë fund heshtjes vetëm një ditë pasi u shkarkua nga posti i trajnerit të ekipit të parë.
Tekniku spanjoll, i cili qëndroi në krye të madrilenëve për vetëm gjashtë muaj, zgjodhi rrjetet sociale për t’u drejtuar tifozëve, duke reflektuar mbi një periudhë që, sipas tij, nuk përfundoi ashtu siç ishte planifikuar.
Në një postim në Instagram, Alonso shprehu mirënjohje për klubin, lojtarët dhe tifozët, duke theksuar se drejtimi i Real Madridit ishte një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e përditshme. Ai theksoi se largohet me ndërgjegje të pastër, duke nënvizuar se ka dhënë maksimumin gjatë qëndrimit të tij në “Santiago Bernabeu”.
Alonso u emërua trajner i Real Madridit në fillim të këtij sezoni, pas suksesit të tij me Bayer Leverkusen. Gjatë 28 ndeshjeve në krye të skuadrës, ai regjistroi 20 fitore, tri barazime dhe pesë humbje – një bilanc pozitiv, por që nuk mjaftoi për të qetësuar pritshmëritë e larta të klubit.
Diferenca prej katër pikësh nga Barcelona në La Liga, së bashku me paraqitjet e paqëndrueshme në Ligën e Kampionëve, ndikuan në vendimin e drejtuesve për një ndarje të parakohshme.
Pas largimit të Alonsos, Real Madridi ka emëruar Alvaro Arbeloan si trajner të ri, duke i besuar drejtimin e skuadrës ish-trajnerit të Real Castilla, i cili më parë garonte në ligën e tretë spanjolle.






