Stilistja e njohur dhe ikona e modës, Rachel Zoe, ka prezantuar publikisht unazën e saj të re, të quajtur “divorce ring”, një krijim luksoz me tre diamante të mëdhenj, pas ndarjes nga bashkëshorti i saj, Rodger Berman.
Unaza përbëhet nga një diamant oval dominues në qendër, i shoqëruar nga dy diamante anësore në të njëjtën formë, dhe është realizuar në bashkëpunim me markën e njohur Ring Concierge. Zoe e ka ndarë këtë bizhuteri në rrjetet sociale, duke e mbajtur në gishtin tregues si një simbol force, pavarësie dhe rilindjeje personale, dhe duke e përshkruar si “unazën e ëndrrave të mia pas divorcit”.
Fenomeni i “divorce ring” po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botën e famshmeve. Idetë e tilla nuk shihen më si thjesht aksesorë luksi, por si deklarata emocionale dhe simbolike për fundin e një kapitulli dhe fillimin e një tjetri me vetëbesim dhe elegancë.
Figura të tjera të njohura si Emily Ratajkowski dhe Brooks Nader kanë zgjedhur të rikonceptojnë ose të zëvendësojnë unazat e fejesës me bizhuteri të reja që simbolizojnë pavarësinë dhe një fillim të ri. Në rastin e Ratajkowski-t, gurët e unazës së fejesës u ndanë dhe u shndërruan në dy unaza të veçanta, një gjest që simbolizon ndarjen, por edhe forcën personale dhe autonominë.
Sipas bizutierëve që qëndrojnë pas këtyre krijimeve, “divorce ring” është më shumë se një aksesor luksi – është një mënyrë për të shënuar një kapitull të ri në jetë me stil dhe vetëbesim.






