Në futbollin modern, edhe trofetë tradicionale kanë ndryshuar adresë. Superkupa e Italisë dhe ajo e Spanjës, që dikur shënonin hapjen zyrtare të sezonit në stadiumet vendase, sot janë shndërruar në evente dimërore të zhvilluara mijëra kilometra larg Evropës, në Arabinë Saudite.
Ndryshimi nuk është i rastësishëm, përveç aspektit sportiv, këto turne janë kthyer në produkte të fuqishme financiare, ku tregu dhe shikueshmëria globale kanë marrë përparësi ndaj traditës.
Italia e mbylli tashmë edicionin e saj të Superkupës, ku Napoli triumfoi në një mini-turne me katër skuadra, ndërsa në Spanjë gara është ende e hapur, me Real Madridin dhe Atletico Madridin që kërkojnë kualifikimin në finale, aty ku Barcelona pret tashmë.
Por si përfunduan këto trofe në Lindjen e Mesme?
Superkupa italiane ka nisur “udhëtimet” jashtë vendit që në vitet ’90, duke kaluar nga Shtetet e Bashkuara në Azi dhe Afrikën e Veriut. Megjithatë, Arabia Saudite është destinacioni që ka sjellë ndryshimin më të madh, jo vetëm gjeografik, por edhe strukturor.
Kontratat e nënshkruara me autoritetet saudite kanë diktuar jo vetëm vendin dhe kohën e zhvillimit, por edhe formatin e ri me katër ekipe, i cili garanton më shumë ndeshje, më shumë spektakël dhe mbi të gjitha, më shumë të ardhura. Fondi i çmimeve është rritur ndjeshëm, duke e bërë Superkupën italiane ndër më fitimprurëset në Evropë për klubet pjesëmarrëse.
Në anën tjetër, Spanja ka shkuar edhe më larg. Federata Spanjolle ishte e para që adoptoi formatin me katër skuadra dhe e lidhi fort Superkupën me tregun saudit. Marrëveshja financiare është shumë e majme, por vjen me një kusht të heshtur: prania e Real Madridit dhe Barcelonës është thelbësore.
Në fakt, suksesi ekonomik i turneut varet drejtpërdrejt nga këta dy gjigantë. Çdo mungesë e tyre sjell pasoja financiare për federatën, çka e bën Superkupën spanjolle jo vetëm një garë sportive, por edhe një projekt të ndërtuar rreth emrave më të mëdhenj të futbollit iberik.
Deri më tani, skenari ideal për organizatorët është realizuar, çdo finale e zhvilluar në Arabinë Saudite ka pasur të paktën njërin prej dy kolosëve, duke garantuar interes maksimal dhe fitime të sigurta.
Në fund, Superkupat e Italisë dhe Spanjës janë shembulli më i qartë se si futbolli evropian po përshtatet me realitetin e ri global, aty ku tradita, marketingu dhe miliona euro takohen në të njëjtën fushë






