Klubi i Futbollit Drenica ka dalë me një apel publik për ndihmë dhe solidaritet, pasi reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme të rënda në fushën e stadiumit, duke e bërë atë të papërshtatshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe procesin stërvitor.
Në komunikatën e klubit thuhet se gjatë muajve të fundit janë realizuar investime të mëdha në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumit, falë angazhimit, përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme, me synimin për të krijuar kushte më të mira për futbollistët, klubin dhe gjithë komunitetin lokal.
Por, e gjithë kjo punë është dëmtuar brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi reshjet intensive kanë shkaktuar shkatërrime serioze në fushë, duke lënë pas pasoja të mëdha.
FC Drenica ka publikuar edhe pamje video që dokumentojnë gjendjen e fushës para ndërhyrjeve, pas përfundimit të investimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se situata aktuale flet vetë për gjendjen alarmante.
Klubi u është drejtuar me kërkesë zyrtare institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe organeve të tjera relevante, duke kërkuar mbështetje të menjëhershme për rehabilitimin e stadiumit dhe rikthimin e tij në funksion të plotë.
Sipas drejtuesve të klubit, ndihma institucionale është thelbësore për vazhdimin normal të garave kampionale, pasi në mungesë të saj ekziston rreziku real që aktiviteti sportiv i klubit të vihet në dyshim.
Në të njëjtën kohë, FC Drenica ka bërë thirrje për bashkim dhe solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi përfaqëson më shumë sesa një skuadër, ai është pjesë e trashëgimisë sportive, rinisë dhe identitetit të rajonit.
“Me përkrahjen e të gjithëve, besojmë se do të arrijmë ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’u sigurojmë futbollistëve kushtet që meritojnë. Synimi ynë është ndërtimi i një infrastrukture të qëndrueshme, në shërbim të së tashmes dhe brezave të ardhshëm”, thuhet në mesazhin e klubit.
FC Drenica përmbyll thirrjen duke theksuar se ky apel është në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të sportit në Kosovë, duke rikujtuar mesazhin e fuqishëm: “Drenica është e Kosovës!”.






