1 C
Pristina
Saturday, January 10, 2026

Kurti thyen rekord me mbi 400 mijë vota, LVV-ja fiton mbi 51%

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shënuar një rezultat historik në zgjedhjet parlamentare, duke kaluar shifrën prej 400 mijë votash individuale dhe duke u renditur si kandidati më i votuar ndonjëherë në Kosovë.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 janar 2026, në orën 09:36, kreun i Lëvizjes Vetëvendosje ka grumbulluar gjithsej 401,241 vota, ndërsa partia që drejton ka siguruar shumicën absolute të votave, me 51.01 për qind apo 484,049 vota, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, gjithsej 2,836.

Duke shikuar nga historiku i zgjedhjeve në Kosovë, Kurti është bërë kandidati më i votuar, duke kaluar edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova, që kishte marrë 359,851 vota në vitin 2001.

Kryetari i LVV-së ishte votuar në masë të madhe edhe më 9 shkurt 2025, ku kishte marrë 337.791 vota, ndërsa Glauk Konjufca ishte votuar në 315.300 sosh. Mbi 300 mijë vota kishte marrë edhe Vjosa Osmani, presidentja aktuale e vendit, saktësisht 300.756 sosh në vitin 2021.

Kur jemi tek partitë, pas Vetëvendosjes, renditja e subjekteve politike vijon me Partinë Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë 20.24 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind.

Bazuar në këto rezultate preliminare, shpërndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës parasheh që LVV-ja të ketë 57 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa 20 ulëse u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.

Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, sipas KQZ-së, në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 45.03 për qind e votuesve, përkatësisht 900,330 qytetarë nga gjithsej 1,999,204 votues sa ishin të regjistruar në Listën Votuese brenda vendit. Ndërkohë, 77,086 qytetarë ishin të regjistruar për votim jashtë Kosovës.

Procesi zgjedhor brenda Kosovës është zhvilluar në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, përfshirë votimin e rregullt dhe atë me kusht. Ndërkaq, votimi jashtë vendit është organizuar më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete, ku të drejtë vote kanë pasur 19,187 votues të regjistruar.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA