Mesfushori kroat dhe ylli i Milanit, Luka Modric, ka hapur zemrën në një intervistë të gjatë për gazetën italiane Corriere della Sera, duke folur për rritjen e tij personale dhe profesionale, për sfidat që ka kaluar dhe për momentet vendimtare që e formësuan si futbollist dhe si njeri.
Një pjesë e veçantë e intervistës ishte përballja me Serbinë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në 2013. Modric tregon se këto sfida nuk mund të krahasohen me ndeshjet e zakonshme ndërkombëtare.
“Luajta kundër tyre dy herë, në Zagreb fituam 2:0, ndërsa në Beograd barazuam 1:1. Atmosfera në të dyja ndeshjet ishte jashtëzakonisht e vështirë. Nuk ishin ndeshje normale, gjurmët e luftës ndihen ende. Mendoj se gjithmonë do të jetë kështu,” rrëfeu ai.
Modric nuk kurseu kujtimet nga periudha e tij e parë si futbollist senior, gjatë huazimit te Zrinjski Mostar në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2003, kur ishte vetëm 17 vjeç. Ai përshkroi përvojën si një sfidë të madhe, por thelbësore për karrierën e tij:
“Ishte eksperienca ime e parë si senior. Ishte shumë e vështirë, kishte lojtarë boshnjakë, kroatë dhe serbë, tri fe: myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Kur shkoje të luaje në Sarajevë, ishte si ferri. Gjyqtarët nuk të mbronin dhe presioni ishte i jashtëzakonshëm. Por kjo më ndihmoi shumë,” tregoi Modric.
Sfidat e asaj periudhe, sipas tij, e bënë më të fortë dhe më të përgatitur për të ardhmen:
“Nëse mund të luaje në Bosnje menjëherë pas luftës, atëherë mund të luaje kudo,” përfundoi legjenda kroate, duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në futboll.






