Me afrimin e merkatos së janarit, Manchester United përballet me rrezikun e humbjes së disa lojtarëve të ekipit të parë, kontratat e të cilëve po shkojnë drejt fundit. Mes emrave kryesorë janë Harry Maguire dhe Casemiro.
Sipas rregullores Bosman, klubet jashtë Anglisë kanë të drejtë të nisin negociata me lojtarë gjashtë muaj para skadimit të kontratës, çka i hap rrugë transferimeve falas në verë. Ky rregull nuk vlen brenda Premier League, ku bisedimet lejohen vetëm në muajin e fundit të kontratës.
Casemiro, 33 vjeç, një nga lojtarët më të paguar të United, është përfolur për një kalim të mundshëm në Saudi Pro League. Klubi ka opsion për të zgjatur kontratën e tij edhe për një vit, por ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.
Edhe Harry Maguire ka kontratë deri në verën e vitit 2026, por mbrojtësi anglez vazhdon të jetë i lidhur me një largim nga “Old Trafford”.
Trajneri Ruben Amorim ka pranuar se ende nuk ka një vendim për të ardhmen e dy lojtarëve. “Duhet të presim fundin e sezonit dhe të shohim ku do të jemi, si në kampionat ashtu edhe në Europë,” u shpreh ai.
Në të njëjtën situatë kontraktuale ndodhen edhe Tom Heaton dhe Tyrell Malacia, duke e bërë verën e ardhshme një periudhë vendimtare për rindërtimin e skuadrës së Manchester United. /ATVLIVE.TV






