Luka Modrić ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të vazhduar aventurën e tij te Real Madridi, madje edhe të pranonte një ulje page, vetëm për të qëndruar edhe një sezon tjetër në “Santiago Bernabéu”.
Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, mesfushori kroat shprehu hapur dëshirën për të rinovuar kontratën, ndërsa edhe trajneri Xabi Alonso ishte i hapur për ta pasur në skuadër, duke e vlerësuar rolin e tij si lider, përvojën dhe ndikimin në dhomat e zhveshjes.
Megjithatë, vendimi përfundimtar erdhi nga drejtuesit e klubit, të cilët zgjodhën të mos vazhdojnë bashkëpunimin me 38-vjeçarin, duke mbyllur kështu një kapitull të artë në historinë e Real Madridit.
Largimi i Modrićit dhemb jo vetëm për tifozët, por edhe për vetë futbollin, pasi bëhet fjalë për një nga mesfushorët më elegantë dhe më besnikë të epokës moderne. Një lojtar që dha gjithçka për fanellën e bardhë, fitoi gjithçka që mund të fitohej dhe u shndërrua në simbol të suksesit dhe profesionalizmit.
Jo çdo legjendë largohet siç e meriton, por trashëgimia e Luka Modrićit te Real Madridi do të mbetet e pashlyeshme. /ATVLIVE.TV






