Pesë persona kanë humbur jetën pas një rrëzimi të helikopterit në malin më të lartë të Afrikës, Malin Kilimanxharo, në Tanzani.
Aksidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje në një nga rrugët më të njohura për ngjitjen turistike, në atë që policia e përshkroi si një mision shpëtimi për të marrë pacientë në mal.
Mes të vdekurve ishin dy të huaj, të cilët, sipas policisë, ishin nisur për evakuim mjekësor. Po ashtu, në aksident humbën jetën një mjek lokal, një udhërrëfyes turistik dhe piloti, raporton abcnews, transmeton Sinjali.
Rrëzimi ndodhi midis Kampit Barafu dhe Majës Kibo në mal, në një lartësi mbi 4,000 metra (13,100 këmbë).
Komandanti i policisë rajonale të Kilimanxharos, Simon Maigwa, tha për gazetarët se aeronavi i përkiste kompanisë Kilimanjaro Aviation, e cila ofron, ndër të tjera, shërbime evakuimi mjekësor. Kompania ende nuk ka bërë komente për aksidentin.
Policia njoftoi se informacion i mëtejshëm do të jepet më vonë.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Tanzanisë tha të enjten se hetimet kanë filluar në përputhje me rregulloret ndërkombëtare të sigurisë, “për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e mundshëm të aksidentit”.
Aksidentet ajrore në Malin Kilimanxharo janë të rralla, me incidentin e fundit të regjistruar në nëntor 2008, kur humbën jetën katër persona.






