Klubi ukrainas FC Polissya Zhytomyr ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit kosovar Lindon Emërllahu nga CFR Cluj.
Pritjes i erdhi fundi, pasi Emërllahu është prezantuar tashmë si lojtar i ri i skuadrës dhe lajmin e ka konfirmuar vetë faqja zyrtare e klubit ukrainas, e cila ka zbuluar edhe detajet e marrëveshjes.
“Klubi i futbollit Polissya ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me mesfushorin kosovar Lindon Emërllahu. Kontrata me lojtarin është nënshkruar për një periudhë trevjeçare. Ai do të mbajë fanellën me numrin 14. Mirë se vini në familjen tonë, Lindon!”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ndryshe, gjatë këtij sezoni, mesfushori nga Theranda ka zhvilluar 24 ndeshje me CFR Cluj në Rumuni, duke shënuar 4 gola dhe duke kontribuar me 2 asistime.
Ndërkohë, Polissya Zhytomyr e ka përfunduar pjesën e parë të sezonit në pozitën e tretë në tabelë me 30 pikë, pesë më pak se liderët LNZ Cherkasy dhe Shakhtar, që renditen në vendin e parë dhe të dytë. /ATVLIVE.TV






