Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masën 15.4 për qind rrezikon që shumë biznese të falimentojnë në vend, sidomos ndërmarrjet e vogla. Këto biznese nuk përjashtojnë mundësinë e falimentimit në rast se qeveria nuk merr ndonjë masë për lehtësimin e faturave me energji. Ndërkohë, të njëjtit paralajmërojnë edhe shtrenjtimin e çmimeve për produktet e tyre.
Kurse, zyrtarët të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për KosovaPress do t’i subvencionojnë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.
Menaxheri i njërës nga bizneset në Prishtinë, Hysni Gashi thekson për KosovaPress se ky vendim për shtrenjtimin e rrymës është në një kohë të gabuar. Sipas tij, në rast se nuk reagon qeveria, do të falimentojnë si biznes.
“Qeveria nuk e di a e ka studiuar këtë vendim, veç është shumë i gabuar, sidomos në këtë kohë post pandemisë. Jemi ballafaquar mjaftë në pandemi me kriza të mëdha dhe tash edhe shtrenjtimi i energjisë, inflacioni, punëtor nuk ka, nuk e di se qysh mbijetojnë bizneset… Duhet të reagojë qeveria nëse ja ka mësyrë kësaj pune, duhet të bëjë pako më shumë t’ju ndihmojë bizneseve… Përndryshe do të falimentojmë”, tha Gashi.
Edhe pronarja e një biznesi tjetër në kryeqytet, Anita Samahodaj pohon se shtrenjtimi i rrymës po e vështirëson veprimtarinë e biznesit të tyre.
Samahodaj thekson po ashtu se me rritjen e energjisë elektrike e kanë të detyrueshme t’i rrisin edhe çmimet e produkteve.
“Shtrenjtimi i rrymës na ka vështirësuar punën edhe neve si biznes që jemi. Patjetër po duhet t’i rrisim çmimet, përndryshe edhe falimentojmë… Kërkojmë edhe prej qeverise që me marrë masa pak që të na ndihmojë”, tha Samahodaj.
Ndërkaq për pronarin e njërës nga bizneset e mëdha në vend, Shaqir Palushi më e rëndësishme se çmimi është furnizimi i rregullt me energji elektrike. Sipas tij, në rast se nuk ka energji elektrike, bizneset e mëdha do të pësojnë më shumë humbje.
“Për neve si prodhues më e rëndësishme se çmimi është furnizimi i rregullt sepse çdo ndërprerje e energjisë elektrike, sidomos tek sektori prodhues shkakton humbje të mëdha të cilat janë shumë më të larta sesa humbjet që shkaktohen nga kjo rritje prej 15.4 për qind të energjisë elektrike”, tha Palushi.
Palushi mes tjerash tha se qeveria duhet të ketë një plan strategjik si të ndihmohen bizneset në këto raste, sidomos ato që janë më të vogla.
“Qeveria duhet të ketë plan strategjik se si të ndihmohen bizneset, në radhë të parë ato të vogla në mënyrë që ato të përballojnë më lehtë krizën për të cilën po kalojnë këto biznese dhe përgjithësisht vendi dhe duke i stimuluar në forma të ndryshme, ose duke i liruar nga tatimi, ose duke subvencionuar energjinë elektrike deri në një masë ashtu siç ka bërë për qytetarët të cilët kanë kursyer energji. Por, në këtë rast te prodhuesit do të ishte e dëmshme nëse kursehet energjia elektrike, pasi kjo do të thotë se ne do të prodhonim më pak”, tha mes tjerash Palushi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se si rrjedhojë e vendimit të ri të ZRrE, Qeveria do t’i subvencionojë familjet për konsum deri në 800 kWh, dhe po ashtu do t’i mbështes familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.
“Si përgjigje ndaj vendimit të ri të ZRrE, ne do t’i subvencionojmë familjet për konsum deri në 800 kWh. Do t’i subvencionojmë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente. Për më tepër, do të subvencionojmë edhe pajisje tjera shtëpiake, jo vetëm për ngrohje. Gjithashtu, për herë të parë do të subvencionojmë bizneset e vogla për të blerë pajisje efiçente. Pra, në vend që të subvencionojmë importin e shtrenjtë, do të ndihmojmë familjet e bizneset për të ulur shpenzimet e energjisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Kryeziu po ashtu ka thënë se do të mbështesin edhe grupet e cenueshme, siç janë përfituesit e ndihmës sociale në lidhje me energjinë.
Tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi nga data 1 prill dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.
Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për konsumatorët që shpenzojnë deri në 300 kilovatë në orë, rritja do të jetë 2 euro e 88 centë, deri në 450 kilovatë në orë, rritja do të jetë 4 euro e 18 centë, deri në 600 kilovatë në orë, rritja do të jetë 5 euro e 49 centë, deri në 800 kilovatë në orë rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Ndërsa, ata që harxhojnë deri në 1000 kilovatë në orë rritja do të jetë 10 euro e 51 centë, ndërsa për ata që shpenzojnë 1200 kilovatë në orë, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë./kp