Një skandal i madh ka tronditur futbollin afrikan, vetëm pak muaj para ndeshjeve vendimtare eliminatore ndërkontinentale për Kupën e Botës.
Federata e Futbollit e Nigerisë ka dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA, duke akuzuar Republikën Demokratike të Kongos për aktivizimin e lojtarëve të papërshtatshëm gjatë ndeshjeve kualifikuese.
Sipas pretendimeve të palës nigeriane, deri në nëntë futbollistë të RD Kongos kanë ndryshuar shtetësinë sportivo-kombëtare vetëm pak para përballjes vendimtare ndaj Nigerisë. Mes emrave të përfshirë përmenden lojtarë të njohur si Axel Tuanzebe, Arthur Masuaku, Aaron Wan-Bissaka dhe Charles Pickel Sadiki.
Nga ana tjetër, Federata Kongoleze ka pranuar se procedurat administrative për ndryshimin e shtetësisë nuk janë përfunduar brenda afateve, por ka theksuar se lojtarët në fjalë i kanë përmbushur kushtet e nevojshme për përfaqësim.
Çështja bëhet edhe më delikate për shkak të ligjit kushtetues të Republikës Demokratike të Kongos, i cili nuk lejon shtetësi të dyfishtë. Sipas ankesës së Nigerisë, disa prej lojtarëve mund të kenë ruajtur shtetësinë e mëparshme, gjë që do t’i bënte ata të papërshtatshëm për të luajtur me fanellën e RD Kongos.
Nëse këto akuza konfirmohen, FIFA mund të ndërmarrë masa drastike, përfshirë anulimin e rezultateve të ndeshjeve ku janë aktivizuar këta lojtarë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin e RD Kongos në fazën finale të eliminatoreve ndërkontinentale.
Pranimi i ankesës nga FIFA do të kishte pasoja të rënda për futbollin afrikan dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026. /ATVLIVE.TV






