Florian Wirtz është rikthyer në qendër të vëmendjes së tregut europian të transferimeve, pas zhvillimeve të papritura që kanë shoqëruar aventurën e tij te Liverpooli.
Mesfushori ofensiv gjerman, i afruar si figura kyçe e projektit të ri të “Të Kuqve”, nuk ka arritur të lërë gjurmën e pritur në “Anfield”. Paraqitjet e tij deri më tani kanë qenë larg pritshmërive, duke ngritur pikëpyetje serioze brenda klubit.
Statistikat e Wirtz flasin për një sezon zhgënjyes: asnjë gol dhe vetëm pesë asistime në të gjitha garat kryesore, përfshirë Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Community Shield. Një bilanc i dobët për një lojtar që pritej të merrte rolin udhëheqës në ekip.
Si pasojë, Liverpooli ka nisur të rishqyrtojë të ardhmen e tij, pavarësisht investimit të madh të bërë vetëm disa muaj më parë. Sipas raportimeve të Defensa Central, klubi anglez është i gatshëm të ulë ndjeshëm çmimin e kartonit të tij.
Nga 150 milionë euro të paguara fillimisht, Liverpooli mund të pranojë tashmë rreth 110 milionë euro, një ulje prej 40 milionësh, e diktuar nga performancat jo bindëse të futbollistit.
Në këtë situatë, Real Madridi rikthehet në skenë. Gjigantët spanjollë nuk e kanë humbur kurrë interesin për Wirtz, të cilin e kishin në radar edhe para transferimit të tij në Angli.
Një rol kyç në këtë lëvizje mund ta ketë Xabi Alonso. Nëse trajneri spanjoll arrin të konsolidojë pozitat e tij dhe ta mbyllë sezonin me sukses, ai pritet të kërkojë afrimin e Wirtz, lojtarin që e shndërroi në yll absolut gjatë kohës së tyre te Bayer Leverkusen.
Marrëdhënia mes Alonsos dhe Wirtz ishte shembullore, me trajnerin që e ndihmoi mesfushorin gjerman të rikthehej në nivelin më të lartë pas një dëmtimi serioz, duke e bërë protagonist në Bundesligë dhe në arenën europiane. /ATVLIVE.TV






