Kombëtaret e të gjithë botës, përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë, presin me padurim të premten shortin e fazës finale të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Turneu i zgjeruar do të përfshijë 48 kombëtare nga e gjithë bota, të cilat do të zbulojnë kundërshtarët e tyre për eventin që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të shoqërohet nga supermodelja dhe ikona globale Heidi Klum, e cila rikthehet në rolin e prezantueses, të cilin e kishte mbajtur për herë të parë në Gjermani 20 vjet më parë.
Heidi Klum tha:
“Ta drejtoj përsëri shortin final është vërtet e jashtëzakonshme. Kupa e Botës bashkon botën si asnjë event tjetër dhe të jem pjesë e kësaj magjie, në një garë që përfshin tri vende mikpritëse dhe 48 kombëtare pjesëmarrëse, është një nder i madh për mua.”
Edhe aktori dhe producenti Danny Ramirez do të jetë prezent për të intervistuar legjendat e futbollit, ndërsa tifozët do të kenë mundësinë të shijojnë performanca LIVE nga yje të mëdhenj, përfshirë Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe tenorin Andrea Bocelli.
Ky event premton të jetë një përzierje spektakli futbolli dhe argëtimi global, duke shënuar fillimin e një verë emocionuese për futbollin botëror.
Kujtojmë se shorti do të hidhet të premten, më 5 dhjetor, nga ora 12:00 (me orën amerikane). /ATVLIVE.TV







