Klubi i Mallorcas ka bërë një postim të veçantë në rrjetet sociale për yllin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqin, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme ndaj Osasunës.
“Pirati” dardan shkëlqeu duke realizuar dy gola në barazimin e skuadrës së tij, duke ndryshuar plotësisht ritmin e ndeshjes. Ai shënoi golin e parë në minutën e 61-të dhe vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 66-të, realizoi sërish për ta çuar Mallorcan drejt rezultatit të barabartë.
Me këto dy gola, Muriqi ngjitet në pozitën e sulmuesit të tretë më të mirë në La Liga këtë sezon me tetë realizime. Para tij janë vetëm Kylian Mbappé me 14 gola, dhe Robert Lewandowski me po aq gola sa Muriqi, por me një asistim më shumë.
Ky sezon shënon vitin e tij të katërt me Mallorcan, klub ku fillimisht u bashkua në formë huazimi nga Lazio dhe më pas transferimi u bë i përhershëm. Muriqi vazhdon të jetë një nga figurat kyçe të ekipit dhe një prej sulmuesve më produktivë në kampionatin spanjoll. /ATVLIVE.TV








