Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez, ka zbuluar publikisht një nga objektivat më të rëndësishëm personalë në karrierën e tij: të trashëgojë një ditë shiritin e kapitenit të Kombëtares së Argjentinës, pas epokës së Lionel Messit.
Në një intervistë për “GiveMeSport”, Fernandez u shpreh se kjo ambicie e ka shoqëruar që herët, por se vendimi final i përket trajnerëve dhe stafit teknik.
“Në nivel personal, sigurisht që ëndërroj të jem kapiten i Argjentinës, por ai vendim nuk varet nga unë,” deklaroi ai.
Mesfushori theksoi se është i gatshëm të presë momentin e duhur dhe se përzgjedhja e kapitenit është një proces që i takon ekskluzivisht stafit teknik të Albicelestëve.
“Është në dorën e stafit teknik. Natyrisht që ëndërroj të jem kapiten i Argjentinës. Nuk e di kur mund të ndodhë. Koha do ta tregojë dhe vendimin e merr stafi. Do të ishte nder i jashtëzakonshëm ta mbaj shiritin,” shtoi ai.
Fernandez ka treguar tashmë aftësi lidershipi te Chelsea, ku në disa ndeshje ka mbajtur shiritin e kapitenit, duke forcuar statusin e tij si figurë kyçe brenda skuadrës londineze.
Megjithatë, konkurrenca në kampin argjentinas është e fortë. Emra si Cristian Romero dhe Emiliano Martinez konsiderohen po ashtu kandidatë seriozë për të zëvendësuar Lionel Messin në rolin e kapitenit.
Për momentin, Enzo Fernandez mbetet një nga liderët e brezit të ri të Argjentinës, i vendosur të japë gjithçka për të realizuar një nga ëndrrat më të mëdha të karrierës së tij.







