Skualifikimi i Lando Norris dhe Oscar Piastri për konsum të tepërt të shasisë së McLaren në garën e fundit të Formula 1 në Las Vegas, së bashku me fitoren e gjashtë sezonale të Max Verstappen, e ka afruar holandezin sërish në garë për titull, dy gara para përfundimit të sezonit.
Me 58 pikë ende në lojë dhe me një garë sprint të parashikuar në Katar, shanset e Verstappen për të mbrojtur titullin për pilotë mbeten të mëdha. Lando Norris gjithashtu ka mundësi të qëndrojë në garë, edhe nëse renditet dy herë i dyti pas holandezit.
“Qasja jonë nuk ndryshon, pavarësisht afrimit në renditje pas Las Vegasit. Çdo fundjavë përpiqemi të maksimizojmë performancën e makinës dhe të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur. Kjo është një fundjavë me garë sprint, kështu që ka edhe më shumë pikë në lojë”, tha Verstappen.
Holandezi shtoi: “Duhet të kemi një fundjavë perfekte për të shpresuar në sukses. Lusail është një pistë e vështirë, ku menaxhimi i gomave është thelbësor për shkak të nxehtësisë. Duhet të sigurohemi që të ekzekutojmë gjithçka si duhet, duke pasur parasysh se do të kryejmë një garë me dy ndalesa të detyrueshme”.







