Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka hedhur poshtë zërat dhe shqetësimet lidhur me të ardhmen e tij, pavarësisht humbjes së thellë 4-1 ndaj PSV Eindhoven në Ligën e Kampionëve.
“Jo, nuk jam i shqetësuar. Fokusi im është në gjëra të tjera, jo te pozicioni im”, tha Slot me qetësi pas ndeshjes.
Megjithatë, ai nuk u fsheh pas situatës: “Duhet të bëj më mirë”, pranoi trajneri, duke marrë përgjegjësinë për formën e dobët të skuadrës.
Liverpooli po kalon një periudhë kritike, me rezultate të dobëta si në garat vendase ashtu edhe në ato evropiane, dhe presioni mbi skuadrën e Slotit është rritur ndjeshëm.
Duke folur për humbjen e rëndë ndaj PSV-së, Slot e pranoi se ishte një goditje e vështirë, por theksoi se ekipi tregoi momente reagimi pozitiv.
“Pasi mbyllëm pjesën e parë, pësuam një gol shumë herët për 2-1. Patëm raste të mira për të barazuar 2-2, por më pas, rreth 10-15 minuta para fundit, pësuam përsëri”, shpjegoi ai.
“Është e vështirë për t’u pranuar. Pas golit të parë, pashë reagimin që dua nga skuadra – dhe kjo nuk është e thjeshtë, sidomos kur humbëm rëndë në fundjavë dhe pastaj përsëri jemi në disavantazh pas vetëm gjashtë minutash.”
Slot theksoi se mentaliteti i lojtarëve ishte i qëndrueshëm, edhe pse zhgënjimet po grumbullohen:
“Mentaliteti ishte aty, ashtu siç shpreson ta shohësh, por jo gjithmonë është e lehtë kur ke përjetuar kaq shumë zhgënjime. Rezultati është 4-1, një tjetër humbje e madhe.”







