Cristiano Ronaldo ka bërë një gjest të veçantë për bashkëlojtarët e tij në Kombëtaren e Portugalisë, duke u dhuruar secilit prej tyre një orë luksoze të personalizuar nga “Jacob & Co”, për të festuar triumfin në Ligën e Kombeve.
Sipas raportimeve, këto ora luksoze kushtojnë midis 280,000 dhe 400,000 dollarë secila, gjë që e bën dhuratën edhe më mbresëlënëse.
Ylli i Al Nassr ka treguar gjithashtu një kujdes të veçantë për të nderuar kujtimin e Diogo Jotës, duke dërguar një orë të ngjashme edhe për familjen e sulmuesit të ndjerë të Liverpoolit. Më pak se një muaj para tragjedisë që i mori jetën, Jota ishte pjesë e skuadrës së Portugalisë që mposhti Spanjën në finalen e Ligës së Kombeve.
Pas humbjes së Jotës, Ronaldo shkroi në platformën X:
“Kjo nuk ka kuptim. Vetëm sa ishim bashkë në ndeshjet e kombëtares, dhe ti sapo ishe martuar. Te familja jote, gruaja dhe fëmijët e tu, u shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe gjithë forcën e botës. E di që gjithmonë do të jesh me ta. Prehu në paqe, Diogo dhe Andre. Do të na mungoni të gjithëve.”
Ronaldo njihet për zemërgjerësinë e tij dhe për dhuratat e shpeshta që u bën bashkëlojtarëve dhe stafit në klubet ku luan. /ATVLIVE.TV







