Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga dita e nesërme do të fillojë ekzekutimi i shtesave të rritura për fëmijët, pas vendimit të Qeverisë për rritjen prej 50 për qind të këtij programi social.
Përfitues të kësaj rritjeje do të jenë rreth 400 mijë fëmijë në mbarë vendin.
Në një postim në Facebook, Kurti e quajti këtë një lajm të mirë për mijëra familje kosovare, duke theksuar se mbështetja financiare për fëmijët po zgjerohet ndjeshëm.
“Lajm i mirë për të gjitha nënat që marrin shtesa për fëmijët: nga nesër fillon ekzekutimi i pagesave me rritjen e miratuar prej 50%. Nga kjo rritje do të përfitojnë 400 mijë fëmijë,” shkroi Kurti.
Ai sqaroi se me rritjen e re, mbështetja mujore për familjet do të jetë dukshëm më e lartë.
“Një familje me dy fëmijë, që ka marrë 40 euro, nga nesër do të marrë 60 euro; një familje me tre fëmijë, që ka marrë 90 euro, nga nesër do të marrë 135 euro; një familje me katër fëmijë, që ka marrë 120 euro, nga nesër do të marrë 180 euro, e kështu me radhë”.







