Pasdite ka përfunduar takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin.
Kryesindikalisti Ilmi Gashi tha se ky diskutim ka qenë i pasuksesshëm.
“Deri në këto momente që po flasim, ndaras kishim takim sepse nuk pranoi stafin e komunës të jetë në takim, vetëm neve shoqatat sindikaliste. Nuk morëm asnjë përgjigje prej ministrit, asnjë premtim prej ministrit se tha nuk është në detyrën time. E kemi lutë, qoftë në gjuhën politike, ndash me gjuhën popullore, çfarëdo lutje i kemi bë, hajde çelna një dritare për me bë zgjidhje në emër të qytetarëve të Prishtinës. Ju lutna, tha nuk e kam mundësinë me e bë atë punë”, tha Gashi i cili shton se Murati i dërgoi te kryetari i Komunës, Përparim Rama.
“Kryetari është i gatshëm që në çdo kohë të ballafaqohet me ministrin, me neve bashkë, ata nuk na e pranuan ballafaqimin, neve u munduan me na e mbushë kupën e kokës, por nuk arritën”, shtoi Gashi.
Sipas tij, në këtë situatë, do të vazhdojë greva e protesta.
“Me keqardhje duhet të them për qytetarët e Prishtinës që greva vazhdon nesër e mund të përshkallëzohet”, përfundoi kryesindikalisti.







