CEO i Alphabet, Sundar Pichai, ka dhënë një paralajmërim të qartë për përdoruesit: inteligjenca artificiale është e dobishme, por nuk është e pagabueshme. Në një intervistë për BBC, ai tha se mjetet e IA-së duhet të përdoren si ndihmë, jo si burimi i vetëm i informacionit.
Pichai u ndal edhe te integrimi i Gemini 3.0 në Google Search, përmes “AI Mode”, duke theksuar se kjo teknologji po e transformon mënyrën si kërkojmë dhe marrim informacion. Sipas tij, Google synon t’i ofrojë përdoruesit një përvojë më të natyrshme, si të bisedosh me një ekspert, por pranoi se IA ende mund të gabojë.
Paralajmërimi i tij përputhet me gjetjet e një hulumtimi të BBC-së, që tregoi se disa chatbotë të njohur, përfshirë ChatGPT dhe Gemini, shpesh japin përmbledhje të pasakta lajmesh.
Pichai tha se industria e teknologjisë po zhvillohet me ritme të shpejta, duke sjellë sfida për ruajtjen e sigurisë dhe verifikimin e përmbajtjes. Ai shtoi se Google po investon në teknologji që ndihmojnë në zbulimin e imazheve të krijuara artificialisht dhe në rritjen e transparencës.
I pyetur për komentet e Elon Musk mbi rrezikun që kompanitë e mëdha të dominojnë IA-në, Pichai u shpreh se sot ka shumë aktorë në treg dhe se “kjo teknologji nuk mund të jetë pronë e një kompanie të vetme”.







