Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se një pjesë e raketave kundërtank “Javelin”, të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të arrijnë në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm.
“Marrëveshjet për blerje nuk përfshijnë vetëm raketat Javelin. Ne kemi bërë dhe po bëjmë blerje të shumta të sistemeve të armatimit nga SHBA-ja dhe nga shtete të tjera. Aktualisht jemi në periudhën e përcaktimit të afateve të arritjes dhe jemi në pritje të konfirmimit. Po diskutojmë që t’i kemi sa më herët. Mendoj se viti 2026 do të jetë koha kur patjetër do të kemi një sasi, por bashkë me komandantin e FSK-së po përpiqemi t’i sjellim edhe brenda këtij viti. Javelin është një nga sistemet më të mira anti-tank, por nuk është i vetmi që kemi në FSK”, ka thënë Maqedonci, në KallxoPërnime.
Ministri kishte konfirmuar më 11 janar 2024 se Kosova ka dërguar kërkesë zyrtare në SHBA për blerjen e sistemit raketor kundërtank “Javelin”.
Raketat “Javelin” janë zhvilluar për ushtrinë dhe trupat detare amerikane dhe u dëshmuan jashtëzakonisht efikase në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Ky sistem prodhohet nga kompanitë amerikane Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.
Sipas të dhënave të publikuara nga Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem preciz dhe i lëvizshëm kundërtank, që mund të përdoret nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur mbi supe, ose të montohet në automjete ushtarake. Këto raketa vlerësohen se janë të afta të neutralizojnë të gjitha llojet e forcave të blinduara të njohura deri më sot, si edhe objektiva të buta apo të parregullta në terren.







