Sonte, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Filharmonia e Kosovës dhe Kori i Operës së Kosovës mbajnë një koncert premierë nën drejtimin e maestros italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Ngjarja organizohet në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci dhe mbështetet nga Qeveria e Kosovës, MKRS dhe Ambasada e Kosovës në Romë.
Publiku do të dëgjojë oratoriumin “La Tempesta sul Lago” të kompozitorit Domenico Bartolucci, një vepër e fuqishme për solistë, kor dhe orkestër. Në skenë performojnë artistë të njohur: sopranoja Besa Llugiqi, mezosopranoja Ivana Hoxha, tenori Carlos Cardoso dhe basi italian Biagio Pizzuti. Përgatitja e koreve është bërë nga dirigjenti Hajrullah Syla.
Koncerti vjen si hyrje e prezantimit të Filharmonisë së Kosovës në Romë më 23 nëntor 2025, ku Orkestra dhe Kori do të performojnë në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, në kuadër të aktiviteteve të Jubileut në Vatikan rikthim i shumëpritur pas gati dhjetë vitesh.







