Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se grupi parlamentar i LDK-së nuk do të votojë për asnjë lloj qeverie dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Zogaj theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga ana e mandatari të dytë për formimin e Qeverisë.
“Nuk kemi informacion që është kontaktuar dikush prej anëtarëve të grupit tonë për formimin e Qeverisë. Po shohim qasje të njëjtë me mandatarin e parë, ai nuk ka pasur interes me i kriju institucionet, njëjtë po sillet edhe mandatari i dytë”, tha ai.
Sipas tij, procesi politik po zvarritet pa arsye dhe do të përfundojë me një “shou politik”.
“Do të shkojmë deri në ditën e fundit, do të ketë shou politik, s’do të ketë vota dhe pastaj do ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, u shpreh Zogaj.
Deputeti i LDK-së shtoi se afatet zgjedhore janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë dhe se zgjedhjet pritet të mbahen në fund të dhjetorit.
“Afatet zgjedhore janë afate kushtetuese. Ato e përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve që me gjasë del të jetë fundi i dhjetorit”, tha ai.
Megjithatë, Zogaj theksoi se data e 28 dhjetorit nuk është e përshtatshme për shkak të festave të fundvitit.
“Data e 28 dhjetorit s’është datë e mirë për zgjedhje, sepse janë festat e fundvitit. E kemi të vështirë me i organizua zgjedhjet. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese e kërkojnë, LDK është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi ai.
Zogaj gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet lokale:
“Ne jemi të lumtur me rezultatin zgjedhor, na qet parti fituese në shumë aspekte. Kemi fituar Prishtinën”, tha ai.
Në fund, Zogaj shtoi se zgjidhja e vetme për ngërçin politik në të cilin ndodhet vendi janë zgjedhjet.
“Zgjidhja e vetme e këtij ngërçi politik që na ka futur LVV janë zgjedhjet, dhe ajo sa më parë të jetë e mundur”, përfundoi Zogaj.







