Një zhvillim i papritur ka ndodhur sot gjatë seancës gjyqësore ndaj Bedri Shabanit, i akuzuar për spiunazh. Trupi gjykues ka kërkuar që të gjitha mediat të largohen nga salla, duke urdhëruar që brenda të qëndrojnë vetëm personat e domosdoshëm për procedurën.
Gjatë seancës, Gjykata ka kontaktuar me Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për të marrë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit. Përmes një kërkese zyrtare me email, është kërkuar sqarim nga mjekët e qendrës, dhe sipas përgjigjes së marrë, Shabani më datë 11.11.2025 është paraqitur për konsultë te mjeku i burgut, ku i është rekomanduar terapi dhe konsultë te specialistët përkatës.
Megjithatë, pasi përgjigjja u konsiderua e mangët, Gjykata ka kontaktuar sërish me njësinë përkatëse për të konfirmuar nëse Shabani është vizituar sot nga mjeku. Nga përgjigja e dytë ka rezultuar se i akuzuari është vizituar dhe se parametrat e tij shëndetësorë janë brenda vlerave normale.
Gjykata ka kërkuar që kjo përgjigje të dërgohet me shkrim dhe aktualisht është në pritje për ta dokumentuar. Ndërkohë, trupi gjykues ka bërë të ditur se nuk do të publikohen shqetësimet e ngritura nga Shabani “për momentin”.
Avokati i të akuzuarit, Besnik Berisha, ka kërkuar që mediat të largohen nga salla dhe që çështja të trajtohet pa publicitet. Nga ana tjetër, prokurori ka theksuar se “ne jemi juristë dhe nuk jemi mjekë, prandaj nuk ka nevojë që në këtë fazë të elaborohet çështja e diagnozës”, duke ia lënë vendimin në diskrecion të gjykatës.
Pas konsultimeve, trupi gjykues ka marrë vendim për përjashtimin e mediave nga seanca, ndërsa çështja po vazhdon me publikun e kufizuar.







