Kosova vazhdon të blejë shumë më tepër produkte nga jashtë se sa të shesë të vetat në tregjet e huaja. Nga të dhënat e Doganës së Kosovës gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.9 miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 419.2 milionë euro.
Kjo do të thotë se Kosova shpenzoi 2.5 miliardë euro më shumë për blerje nga jashtë se sa fitoi nga shitja e produkteve të veta jashtë kufijve.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë rritur për rreth 150 milionë euro. Ndërkaq, në raport me vitin 2024, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro më shumë mallra.
Ekonomisti Ismet Mulaj vlerëson se rritja e importeve është rezultat i mungesës së reformave strukturore ekonomike, rritjes së konsumit dhe dobësisë së prodhimit vendor.
Edhe ekonomisti Lulzim Beqiri e konsideron vitin 2026 si një nga periudhat më shqetësuese sa i përket varësisë së Kosovës nga importet.
Ai thotë se varësia e importit në Kosovë bën që çdo krizë globale të jetë shqetësuese për vendin për shkak të mosinvestimit të mjaftueshëm në aspektin e rritjes së prodhimit vendas.
Duke pohuar se eksportet e Kosovës e mbulojnë vetëm 15% – 20% të importit, Beqiri këtë e sheh si jashtëzakonisht shqëtësuese.
Në prezantimin e raportit të 100 ditëve pune Minstrja në detyrë Kusari Lila, javë më parë pranoi rritjen e deficitit tregtar, duke shtuar se kjo paraqet presion shtesë për institucionet që të punojnë më shumë në promovimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij.
Krahasuar me vitet e kaluara, edhe eksportet kanë shënuar rritje, por ritmi i rritjes së importeve ka qenë dukshëm më i lartë. Në periudhën janar–maj 2025, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh dhe eksportuar 356.8 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.39 miliardë euro.
Një vit më herët, në pesëmujorin e parë të vitit 2024, importet arrinin në 2.38 miliardë euro, eksportet në rreth 352 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.03 miliardë euro.
Në këtë rritje të importit për këtë vit, sipas tij, ka ndikuar edhe rritja së kostos së energjisë elektrike në sektorin prodhues, si dhe varësia e vendit nga importi i karburanteve.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Gjermania renditet e para nga shtetet që ka vlerë më të madhe të importit në Kosovë duke u pasuar me Kinën dhe Turqinë.
Sipas këtyre të dhënave, Serbia ende mbetet në mesin e dhjetëshës së parë të shteteve që importojnë më së shumti në Kosovë. Në krahasim me pesëmujorin e vitit 2025 vlera e importit ka treguar rritje nga 91.1 milionë euro në 91.6 milionë euro sa është në të njëjtën përiudhë të këtij viti. Këtë e konfirmin edhe ministrja në detyrë, Kusa – Lila, ani se në informatat që i posedon, Serbia është jashtë 10-shes së parë të shteteve importuese në Kosovë.
Edhe ekonomisti Mulaj tha se kjo gjë ndodh për shkak se disa prej këtyre produkteve janë më konkurruese falë subvencioneve.
Sipast tij ndikon edhe afërsia gjeografike dhe çmimet, por edhe në atë se Serbia investon vazhdimisht në promovimin e produkteve të saj në tregun kosovar.
Ai thotë se nga Qeveria e Kosovës duhet një qasje strategjike me qëllim që në ata sektorë ku Serbia ka potencial të madh për të depërtuar në Kosovë, duhet që të rriten kapacitete vendase prodhuese.
Sipas tij, kjo duhet të bëhet sidomos në serktorët e ndërtimit aty ku ka më shumë import e që edhe Serbia është shumë e fuqishme në raport me vendet e tjera dhe me prodhimin vendor./KP/






