Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, raporton EO.
Osmani tha se me veprat shkrimtari Kadare ka mbrojtur e ka promovuar kulturën, traditat e gjuhën shqipe. Ajo shtoi se Kadare ka qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptarë.
“Si mirënjohje në emër të popullit të Kosovës, nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, zotin Ismail Kadare vepra e të cilit është enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre, dokeve e traditave dhe mbi të gjitha e gjuhës shqipe. Jam shumë i lumtur që jeni këtu kur Prishtina e jonë e dashur është veshur me petkun e librit. Prania juaja në panairin e librit është një mesazh i rëndësishëm”.
“Ju keni qenë vazhdimisht pikë referimi për shqiptarët. Nëpërmjet krijimtarisë suaj ju keni dhënë shembullin për shqiptarët. Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallë kush historinë e tradita shqiptare. Ju e keni mbrojtur e keni promovuar kulturën shqiptare, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptarë”, tha ajo.
Shkrimtari Kadare tha se për të nuk ka nderim më të madh se dekorata që morri nga Osmani, raporton EO.
“Jam shumë i prekur që jam në mes jush, për këtë nderim kaq të madh. Është një fat i rrallë që një popull të nderoj dhe të të quaj bashkë mbrojtës të të drejtave te tij”.
“Për fat të keq Shqipëri ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmba nga forcat e huaja por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengoj një popull që të jetoj i lirë. Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptarë. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual se sa kjo që po e përjetoj sot këtu”.