Magjia e “Librit të Xhunglës” mori jetë në skenën e Teatrit të Kukullave, duke sjellë një eksperiencë të paharrueshme për fëmijët dhe prindërit që mbushën sallën plot gëzim. Regjisorja Ina Morinaj, së bashku me aktorët e talentuar të trupës, sollën një interpretim ndryshe të kryeveprës së Rudyard Kipling, ku arti i kukullave u ndërthur në mënyrë të përsosur me lojën skenike.
Skena u shndërrua në një xhungël të vërtetë, plot ngjyra, muzikë dhe emocione. Kukullat anatomike, të ndërtuara në përmasat e kafshëve reale, u bënë urë lidhëse mes imagjinatës dhe realitetit, duke bërë që të vegjlit të ndiheshin pjesë e aventurës së Moglit, Balusë dhe Bagherës.
Për rreth 50 minuta, fëmijët jo vetëm që ndoqën me kërshëri historinë e djaloshit që rritet mes kafshëve, por edhe u bënë bashkëudhëtarë në aventurën e tij për mbijetesë dhe miqësi. Aktorët si Ilia Kaçi, Erdit Asllanaj, Aleksandër Grami dhe Juxhin Plovishti ndanë emocionet e tyre pas shfaqjes, duke u shprehur të lumtur për reagimin e ngrohtë të publikut dhe për përfshirjen e fëmijëve në çdo moment të lojës.
“Libri i Xhunglës” do të vazhdojë të luhet edhe fundjavën e ardhshme në Teatrin e Kukullave, duke ftuar të gjithë ata që duan të përjetojnë nga afër këtë botë plot fantazi, miqësi dhe mësime jete.







