Fansat e Grand Theft Auto 6 do të duhet të presin edhe më gjatë. Kompania Rockstar Games ka konfirmuar se publikimi i shumëpritur i lojës është shtyrë për në 19 nëntor 2026, duke e zhvendosur për herë të dytë datën e daljes.
Fillimisht, GTA 6 ishte planifikuar të dilte në vjeshtën e vitit 2025, më pas u shty për maj 2026, ndërsa tani data e re vjen pas disa muajsh vonesë shtesë. Sipas një deklarate zyrtare nga Rockstar, “nevojiten edhe disa muaj të tjerë që loja të arrijë nivelin që fansat presin dhe meritojnë.”
Pavarësisht zhgënjimit të fansave, kompania ka falënderuar komunitetin global të lojtarëve për durimin dhe besimin e treguar. “E dimë se pritja është e gjatë, por duam që GTA 6 të jetë një përvojë që do të përcaktojë një epokë të re në industrinë e videolojërave,” thuhet në njoftim.
Loja do të zhvillohet në shtetin imagjinar amerikan Leonida, të frymëzuar nga Florida, dhe do të përfshijë një version modern të Vice City, një nga lokacionet më të dashura të serisë. Trailerat e publikuar deri tani kanë treguar protagonistët Jason dhe Lucia, një çift që jetojnë në botën e krimit dhe aventurave të rrezikshme.
Videoja e fundit zyrtare, e publikuar në maj, ka grumbulluar mbi 100 milionë shikime, duke e bërë një nga promovimet më të mëdha në historinë e lojërave.
Kjo nuk është hera e parë që Rockstar vonon një publikim madhor kompania është e njohur për perfeksionizmin e saj, duke preferuar ta shtyjë daljen sesa të ofrojë një produkt të papërfunduar.
Ndërkohë, GTA 5, e publikuar në vitin 2013, vazhdon të mbetet një nga lojërat më të shitura në histori dhe ende aktive në versionin online, pavarësisht 12 viteve në treg.
GTA 6 pritet të jetë projekti më i madh dhe më i shtrenjtë që Rockstar ka prodhuar ndonjëherë një aventurë që mund të thyejë çdo rekord shitjesh sapo të dalë në treg.







