Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, që po mbahen sot në vendin tonë, janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula për ATV-në, tha se deri tash nuk ka asnjë incident.
“…Nuk kemi asnjë incident për momentin…Mbarëvajtja është shumë e mirë, nuk ka incidente me të cilat duhet të merret prokuroria…Edhe nëse kemi ne jemi në dispozicion…”, deklaroi Pula për ATV-në.
Vlen ta theksojmë se prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet lokale në 18 komunat e Kosovës, klikoni në linkun e mëposhtëm:







